9 dhjetor 2014 – Ndonëse Marrëveshja e bashkëpunimit për “Projektin shqiptaro-norvegjez të informacionit hidrografik” me vlerë 1,2 milion euro u nënshkrua më 27 nëntor 2014 në auditoriumin e Ministrisë së Mbrojtjes, kjo e fundit u kujtua si kofini pas të vjelit ta pasqyrojë, sipas shënimit, në krye të lajmit, më 7 dhjetor (në fakt, më 9 dhjetor 2014, duke mos përcaktuar as datën e nënshkrimit).
Zyra përkatëse e marrëdhënieve me publikun në dikaster, me sa duket, nuk ka haber as nga problemet ushtarake, as nga ato financiare (nuk i thonë pak: 1,2 milion euro vetëm për shërbimin hidrografik!), por as nga diplomacia dhe politika, madje shpërfill si pa gjë të keq një veprimtari ku ishte e pranishme dhe ka folur vetë shefja e tyre, znj. Mimi Kodheli.
Kulmi i paditurisë së skajshme të vartësve të znj. Kodheli, ka të bëjë me faktin se në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm dhe përshëndeti ambasadori i Mbretërisë Norvegjeze në Shqipëri z. Jan Braathu. Epo Norvegjia është shteti, ish-kryeministri i së cilës, që nga 1 tetori 2014, është sekretari i përgjithshëm i NATO-s, z. Jens Stoltenberg!
Natyrisht, kjo gafë e Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka kaluar pa u komentuar në qarqet diplomatike, si dhe në qeverinë shqiptare, pasi është vënë në dukje se “Dyrrah”-u (ueb:durreslajm.com) e pasqyroi ngjarjen, qysh të nesërmen, me t'u informuar zyrtarisht, më 28 nëntor 2014. Por “gallata” vazhdoi me gazetën “Ushtria”, botim qendror i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila, edhe pse kishte dalë më 28 nëntor, e pasqyroi eventin, si diçka të rëndomtë (Veprimtari për Forcën Detare), në faqen 7, më 5 dhjetor 2014 (duke vënë si datë: “këto ditë”!).
Info
Projekti shqiptaro-norvegjez i informacionit hidrografik,me vlerë rreth 1, 2 milion euro, që do zgjasë tre vite kalendarike dhe katër vite financiare, synon përmirësimin e sigurisë hidro-lundrimore në hapësirën detare të RSH, nëpërmjet përmbushjes së detyrimeve të konventës IMO-SOLAS. Gjithashtu projekti do bëjë të mundur aplikimin e teknologjive dhe metodave të reja për mbledhjen e të dhënave batimetrike të relievit të fundit të detit, menaxhimin e tyre dhe në bashkëpunim me IGJU, realizimin e hartave të reja elektronike.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





