2 dhjetor 2014 –   Komisioni i Apelit ka marrë zyrtarisht vendimin për fatin e ndeshjes Serbi-Shqipëri, teksa u mblodh në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës. Të dyja federatat ankimuan vendimin e Komisionit të Disiplinës, të marrë më 24 tetor, ku Shqipëria u dënua me humbjen në tavolinë, ndërsa serbëve u hoqën tri pikë. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e parë të marë nga UEFA, çka do të thotë se të gjitha shpresat e Shqipërisë për t’iu rikthyer 3 pikët, tashmë zyrtarisht janë shuar.

Shqipëria e ka humbur ndeshjen në tavolinë 3-0, por njëkohësisht duhet të paguajë edhe gjobën prej 100 mijë euro. Ndërkohë e zhgënjyer del edhe Serbia nga ky vendim, pasi edhe kjo kombëtare do të ketë (-3 pikë) në klasifikim, ashtu siç ishte vendimi i parë.

Gjithçka mbetet e pandryshuar dhe Shqipëria vazhdon të ketë vetëm 4 pikë në grupin I duke mbajtur vendin e 3-të. Nga ana tjetër Serbia ndan vendin e fundit së bashku me Armeninë me nga 1 pikë secila.