Autori i aksidentit tragjik me vdekjen e dy fëmijëve të mitur në Durrës, Nikoll Radaçi është lënë në burg.

Avokatja e caktuar nga shteti Arta Gecaj u shpreh se masa ishte ajo që pritej, ndërsa tregoi se Radaçi ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe nuk mbajti qëndrim gjatë seancës.

“Sapo mbaroi seanca. Unë isha e ftuar nga shteti për të siguruar mbrojtjen. U vendos masa arrest në burg. Ai është akuzuar për tri vepra penale. Autori dukej në gjendje shoku, ishte i rënduar psikologjikisht. Nuk ishte asnjë familjar prezent”, u shpreh avokatja.

AKUZAT:

Çështja penale me Nr. 269 Akti, me objekt “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit N. R. i dyshuar për kryerjen e veprave penale të parashikuar nga neni 273, 291 dhe 290/4 Kodit Penal”, me person të arrestuar shtetasin Nikoll Radaçi.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, përfaqësuar nga Znj. Anila Bebeçi.

Kjo çështje u shortua elektronikisht pranë Gjyqtarit të gatshëm të Seksionit të të Miturve, Z. Orgent Nazaj.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për çështjen e sipërcituar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka disponuar me Vendimin Nr. 269, datë 05.05.2026, ku ka vendosur:

“Vleftësimin e ligjshëm të arrestit të shtetasit Nikoll Radaçi dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.