30 nëntor 2014 – Klanet e Cosa Nostras siciliane përgjithësisht kanë përdorur rrugën detare për të importuar kanabisin shqiptar. Ngarkesa kanabisi nga 1,2 deri në 2,5 tonelata ngarkoheshin në peshkarexha apo jahte të vegjël në pika të ndryshme të bregdetit shqiptar dhe tentonin të shkarkonin në porte të vegjël në bregdetin Sicilian përgjithësisht afër Katanias.
Për financierët italianë vetëm këtë fund nëntori u bë e qartë se cilën rrugë përdorte Kamorra napoletane për importin e kanabisit shqiptar. Përfundimi me sukses i operacionit antidrogë “Secundario” me 15 arrestime gjithsejt përfshirë edhe një shqiptar u ofroi një informacion sa të ri aq edhe tronditës financierëve italianë. Kamorristët e zonës së Kazolas (Casola) të Napolit kishin krijuar kontakte pune me organizata kriminale shqiptare për importimin e kanabisit shqiptar. Ishte një aferë me shumë leverdi për këtë klan kamorrist, sepse shqiptarët ofronin kanabis mjaft cilësor të tipit “Low Cost”. Çmimi me shumicë ishte vetëm 1 000 euro kg. Transporti ishte me rrugë ajrore- i shpejtë, efikas, relativisht i sigurtë dhe me kosto të arsyeshme transporti. Kamorristët nuk preferonin ta transportonin kanabisin me avionë ultra të lehtë të nisur nga pista klandestine në Shqipëri. Ata në bashkëpunim me shqiptarët kishin ngritur një rrjet transporti, që përdorte Rinasin të vetmin aeroport civil në Shqipëri, si trampolinë për të dërguar sasi të mëdha kanabisi në shumë rejse drejt Italisë.
Duke shfrytëzuar linjat e udhëtimit “low cost” Shqipëri-Itali, kanabisi shpeshherë çohej direkt në tregjet e Italisë veriore. Sasitë e kanabisit shqiptar, që kanë mbërrirë së fundmi në Itali, janë aq të mëdha saqë në zonën e Salernos ekziston së paku një depozitë e madhe me kanabis shqiptar, që shërben për furnizimin e grosistëve të të gjithë Rajonit të Kampanias e më gjerë.
Narkotrafikantët shqiptarë bashkëpunojnë me persona të caktuar në radhët e stafit të Aeroportit të Rinasit si edhe me segmente të devijuar të policisë shqiptare për të realizuar pa kokëçarje këtë trafik fitimprurës kanabisi. Kamorristët napoletanë, madje kanë pasur fërkime me njëri tjetrin përsa i përket menaxhimit sa më të mirë të kontakteve me narkotrafikantët shqiptarë për t’u furnizuar me sasi të mëdha kanabisi cilësor e me çmim të arsyeshëm.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





