· Buxheti i shtetit, fond limit prej 99 957 000 lekësh (rreth 720 mijë euro), ku morën pjesë 21 ofertues, prej të cilëve vetëm 8 ishin “singëll”, kurse të tjerët ishin “martesa” të përkohshme prej 11 “çiftesh” dhe 4 treshesh
· Bashkimi “Rajli Ndërtim + Ulza Ndërtim + Cara” fitoi me ofertën me vlerë 74 119 360 leke (rreth 530 mijë euro) ose me 74 për qind të “tavanit”
DURRËS, 29 nëntor 2014 – Përfundimisht rikonstruksionin e Rrugës së Vilës do ta realizojë një treshe firmash durrsake, teksa drejt tenderit me vlerë “mbretërore” kufi prej rreth 720 mijë euro janë “sulur” 21 operatorë ekonomikë, ku vetëm 8 ishin “singëll”, kurse të tjerat ishin “martesa” të përkohshme prej 11 “çiftesh” dhe 4 treshesh.
“Dyrrah”-u ka mësuar se bashkia e Durrësit ka shpallur fitues të tenderit bashkimin e tri firmave durrsake për rikonstruksionin e Rrugës së Vilës, aq shumë e amortizuar dhe e përfolur në mediet e opozitës.
Më 31 tetor 2014 u zhvillua procedura e prokurimit për një objekt shumë të rëndësishëm dhe me peshë, ku buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion një fond limit të konsiderueshëm prej 99 957 000 lekësh (rreth 720 mijë euro).
Bashkia thotë se tender garuan 21 operatorë ekonomikë, “singëll”, apo bashkime të përkohshme prej 2 dhe 3 firmash ndërtimi.
Prej tyre janë shkualifikuar 7 ofertues për mangësi në dokumente, ku përfshin dhe dy prej tyre që kryesonin listën për ofertat më të ulëta.
Përfitoi ofertuesi i tretë (Rajli Ndërtim + Ulza Ndërtim + Cara) me vlerë 74 119 360 leke (rreth 530 mijë euro) ose me 74 për qind të fondit tavan.
Investimi duhet të përfundojë 150 ditë pas nënshkrimit të kontratës midis njësisë së qeverisjes vendore dhe bashkimit të përkohshëm.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





