DURRËS, 29 nëntor 2014–  Drejtoria rajonale e monumenteve të kulturës e Durrësit, aktualisht po merret me punimet e mirëmbajtjeje, që po kryhen në amfiteatër dhe të cilat kanë të bëjnë me zëvendësimin e shkallëve të drurit, veshjen me dërrasë në mjediset e jashtme, pasi ishin të amortizuara, vendosjen e koshave dekorativë, etj. Kjo është bërë e domosdoshme për dendurinë e vizitave jo vetëm nga turistë e vizitorë të huaj dhe vendës, por edhe nga delegacione shtetërore, siç ishte ai i fundit, i parlamentit turk.

Sektori i Tiranës, që varet nga Durrësi, po merret me mirëmbajtje dhe pastrimin e vegjetacionit në Urën e Tabakëve. Është një monument kulture i ndërtuar në shek. XVII-XVIII. Ka një lartësi rreth 7 metër e gjysmë; strukturë të gurtë, të formuar me dy harqe dhe e shtruar me kalldrëm;  arkitekturë harmonike, proporcionale të elementeve. Përbëhet nga një hark kryesor, mbi të cilin ngrihet ura në formë kurrizi me hapësirë drite 8 metra, ndërtuar me 2 rreshta harqesh anësore me trashësi 1 metër. Lartësia nga niveli i ujit ishte 3,5 metra. Kalldrëmi i urës me gjerësi 2,5 metra, ndërtuar me gurë lumi të vendosur pa ndonjë rregull. Në të dy anët e harkut kryesor janë ndërtuar 2 harqe në formë segmentesh rrethor me hapësirë të vogël.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/