DURRËS, 29 nëntor 2014 – Suksesi i Karlo Ançelotit me Realin e Madridit ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të tjera prestigjioze, që po vuajnë për të pasur rezultate pozitive kohët e fundit. Në fakt, britanikja “Daily Star” bën me dije se ka një plan të detajuar të Mançester Junajtid për ta bindur teknikun italian. Bëhet fjalë për një ofertë prej plot 300 mijë eurosh në javë dhe që do e fillojnë bashkëpunimin edicionin tjetër. Gjithashtu ai do të ketë në dispozicion një buxhet të majmë për të bërë përforcime, si dhe do të jetë fuqiplotë për të marrë vendimet menaxheriale. Pronarët e “djajve të kuq” janë të pakënaqur nga Luis van Gal dhe, nëse ai dështon deri në fund të edicionit, duket se shkarkimi është i pashmangshëm. Në këtë situatë duan një teknik me eksperiencë, i cili është i aftë të rikthejë qetësinë në ekip dhe ta drejtojë skuadrën te trofetë.
Aktualisht, Ançeloti nuk e ka rinovuar ende kontratën e tij që përfundon në verën e vitit 2016 dhe në prononcimin e fundit mbi këtë gjë tha: “Nuk më shqetëson rinovimi me Realin. Jam i përqendruar për ta mbyllur me sukses këtë edicion. Për të tjerat ka kohë”. Gjithsesi, është përfolur jo pak, sidomos në median italiane, që tekniku 55-vjeçar do të largohej me dëshirë në fund të sezonit, në rast se do realizonte një tjetër vit shumë të suksesshëm, duke i dhënë fund të lumtur aventurës në Spanjë. Ndërkohë, te Junajtid ka 300 mijë arsye në javë për të pranuar ofertën…





