• Mes 9 konkurrentëve bashkimi i operatorëve ekonomikë dha ofertën më të ulët prej 31 mijë euro, kundrejt 49 mijë euro kufiri i financimit

DURRËS, 28 nëntor 2014 –  Bashkia e Durrësit ka vendosur të rikonstruktojë një rrugë të shkurtër që derdhet në autostradën e hyrjes së Durrësit, midis shkollës private “Rilindja” dhe Urës së Dajlanit.

“Qeveria” e qytetit bregdetar njofton se, më 3 nëntor 2014, ka zhvilluar tenderin e rikonstruksionit të rrugës “Palombari”, me një financim kufi nga buxheti i shtetit prej 6 831 000 lekë (rreth 49 000 euro). Dhe pse fond relativisht i vogël, fakti që në të u paraqitën 9 firma ndërtimi, tregon se është bërë keq për pare.

Në vend të parë u klasifikua një bashkim operatorësh ekonomikë durrsakë me përvojë, që selitë i kanë në lagjen Perimore të Sukthit dhe Xhafzotaj. Bashkimi i përkohshëm bëri ofertën më të ulët: 4 390 300 lekë (rreth 31 mijë euro), ose me 64.2 për qind të fondit kufi. Kjo vepër publike do të realizohet brenda 69 ditëve nga nënshkrimi i kontratës, tha bashkia e Durrësit.

Njëra nga dy firmat, më 22 gusht 2014, ka depozituar në QKR (qendra kombëtare e regjistrimit) kontratë pengu, të datës 21 gusht 2014, me “Raiffeisen Bank” sh.a (pengmarrës / kredidhënës) për dhënien e aksioneve / kuotave në favor të kredidhënësit. 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/