28 nëntor 2014 –  Sebastian Vettel është i vetëdijshëm për vështirësitë që e presin me Ferrarin, pas katër titujve të fituar me Red Bullin. Piloti gjerman e ka të qartë se Kokëkuqja nuk mund të jetë menjëherë kompetitive me Mercedes, që vijon të qëndrojë mbi rivalët. “Nuk mund të konkurrojmë si të barabartë me Mercedez vitin e ardhshëm. E kam të qartë se më pret një sfidë që kërkon kohë, pasi rivaliteti është shumë i ashpër. Objektivi im është të tregoj që si unë ashtu edhe Ferrari kemi bëri zgjedhjen e duhur. Do të duhet pak kohë për t’u kthyer në majë dhe nuk e ndjej t’i ushqej tifozët me pritshmëri përtej mundësive tona". 27-vjecari vjen pas një sezoni zhgënjyes, që e mbylli pa asnjë fitore dhe me vendin e 5-të në klasifikimin e përgjithshëm për pilotë. Një sezon gjithsesi më i mirë se Ferrari, që për herë të parë që nga viti 1993 nuk ka fituar asnjë garë dhe e ka mbyllur vitin vetëm me dy pode të Alonsos. Për Vettel, firma me skuadrën nga Maranello është realizimi i një ëndrre.

"Ferrari është një makinë që jeton dhe që ka shpirt, dicka vërtet e vecantë. Miti, Historia, Enzo Ferrari, e gjithë rruga e ndjekur nga kjo skuadër në Formula 1 me krijon një ndjesi të vecantë. Kur isha i vogël idhulli im ishte Michael Shumacher, e kujtoj gjithmonë duke garuar me një Ferrari. Marrëveshja me këtë skuadër ishte një tundim i parezistueshëm. Objektivi im në këtë moment është të ndihmoj Ferrarin në këtë periudhë tranzicioni, për ta bërë të kthehet aty ku e meriton. Unë do të bëj maksimumin për t’ia dalë mbanë".