·        Më 28 nëntor 2014, në bashkinë e Uotërbërit ceremoni për ngritjen e flamurit shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë

DURRËS, 28 nëntor 2014 –  Ajo ka një vend të këndshëm për fëmijët, i mëson me dëshirë, sepse e di se si ndjehen, njofton “Republican American” gazetë vendore e qytetit Uotërbëri (Waterbury).

53-vjeçarja Donikë Tasimi, mësuese anglishteje si gjuhë e dytë në shkollën fillore “Generali” të qytetit Uotërberi, u rrit duke folur shqip si gjuhë të parë dhe anglisht si gjuhë të dytë. Ajo tha se nuk është ndier vërtet rehat në shkollat publike të Miçiganit derisa përvetësoi anglishten.

Donikë Tasimi u emërua kryetare bashkie shqiptare e Uotërbërit e Ditës dhe do të nderohet më 28 nëntor 2014 në bashki, ku, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, organizohet një ceremoni e ngritjes së flamurit shqiptar, njofton “Republican American”.

KUSH ËSHTË

Donikë Tasimi ka lindur në qytetin e Dirbornit (Dearborn), Miçigan, nga prindër emigrantë shqiptarë. Pas shkollës së mesme, shkoi në Kosovë, ku studioi për anglisht në Universitetin e Prishtinës.

Pas diplomimit, u emërua mësuese e anglishtes në Prishtinë. Në vitin 1988, ajo dhe familja e saj shkuan në SHBA, në qytetin e Uotërbërit.

U ka mësuar anglisht qindra fëmijëve shqiptarë, shumë prej të cilëve u diplomuan në kolegj dhe patën karriera të suksesshme.

Ka punuar në shumë programe të shkollave verore dhe pas programeve shkollore. U zgjodh Mësuese e Vitit në vitin e saj të dytë si mësuese në Uotërbëri.

Në vitin 2011 udhëhoqi një grup vullnetarësh në krijimin e një shkolle shqiptare të së dielës (Albanian Sunday School), që u mëson gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë-amerikanë.

Ka punuar gjithashtu në Bordin Shqiptaro-Amerikan të Komunitetit dhe në komitetin që themeloi Festivalin Shqiptar vjetor, i cili tani është në vitin e tij të 10-të.

Info

Uotërbëri është qytet në shtetin amerikan të Konektikatit (Connecticut), në lumin Nogatak (Naugatuck), në jugperëndim të Hartford-it dhe në verilindje të qytetit të Nju Jorkut. Ndodhet në kontenë e Nju Hejvenit (New Haven). Sipas regjistrimit të vitit 2010, kishte një popullsi prej 110 366 banorë, qyteti i 10-të më i madh në Zonën Metropolitane të Nju Jorkut, qyteti i 9 më i madh në Nju Inglend (New England) dhe qyteti më i madh i 5-të në shtetin e Konektikatit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/