27 nëntor 2014  –  Falë teknologjisë, është bërë e mundur, gati në kohë rekord, që të kuptohen arsyet e incidentit në “Elbasan Arena” mes tifozërive të Tiranës dhe Elbasanit. Përtej ngacmimeve historike që “Tigrat Verdheblu” dhe “Fanatiksa”-t kanë pasur me njëri-tjetrin; përtej surprizave të vendësve, duke varur qese djathi në hyrje të zonës ku do të akomodoheshin tifozët miq, me qëllim acarimin e këtyre të fundit, ajo që i ka irrituar më shumë kryeqytetasit ka qenë lojtari i Elbasanit, Xhuljo Jaupi. Mesfushori ka bërë një gjest tejet provokues dhe të pahijshëm, i cili zor se do t’i shpëtojë një dënimi (ndoshta shembullor) nga ana e Komisionit të Disiplinës. 22-vjeçari, i rritur në akademinë e këtij klubi, ishte në pankinë në këtë ndeshje. Rreth minutës së 55-të ai doli në nxehmje bashkë me dy kolegë të tjerë, për t’u bërë gati të futej në fushën e lojës (në fakt nuk u aktivizua fare në këtë ndeshje nga trajneri Muharrem Dosti). Ai shkoi pikërisht në anësoren e fushës, duke bërë një vrapim të lehtë, pikërisht aty ku ishin akomoduar edhe tifozët e Tiranës. Sakaq, pas çdo xhiroje të lehtë, lojtari i Elbasanit kthehej nga tifozët e Tiranës dhe prekte organet gjenitale, duke i provokuar në mënyrën më vulgare të mundshme. Videoja ka qarkulluar dje në rrjetet sociale në “Facebook” dhe në harkun e 1 minute e 35 sekondash, ky i fundit e ka bërë këtë gjest më shumë se dhjetë herë. Nga ana tjetër, dëgjohen ulërimat me sharje dhe ofendime të tifozëve të Tiranës, karshi këtij lojtari, i cili çuditërisht vijon që t’i provokojë, edhe kur përpara tij kalon delegati i Federatës Shqiptare të Futbollit për këtë ndeshje, Denis Bastari. Ky i fundit kalon aty përpara, shikon gjestin e lojtarit, por nuk i flet (në fakt nuk e ka për detyrë ta bëjë këtë gjë, pasi ai është vetëm në rolin e një vëzhguesi në kësi rastesh) duke vijuar drejt anësores ku sapo nisën ngacmimet e para mes tifozërive. Më pas është zyrtari i Tiranës, Eduard Gjini, që duket në video. Ky i fundit “lëshohet” nga pankina bardheblu drejt tifozëve të Tiranës, për t’i qetësuar këta të fundit, pa e ditur arsyen e acarimit. Vetëm pasi tifozët i tregojnë atij gjestet e Jaupit, shihet që Gjini shkon te lojtari duke i folur, madje duke i bërë edhe me gjeste me duar që të largohej që aty dhe të shkonte te pankina e Elbasanit.  Menjëherë pas këtyre gjesteve nisin incidentet. Fillimisht portieri dhe kapiteni i Elbasanit, Elvis Kotorri, shkon te kryesori Andi Koçi për t’i raportuar sharjet në kor të tifozëve të Tiranës. Mirëpo, zgjat vetëm tri minuta qetësia, pasi Gentian Muça, në atë ndeshje në rolin e kapitenit të Tiranës, kërkoi nga tifozët kryeqytetas të mos shanin më. Në një situatë të tillë, kur u kuptua qartë se loja u ndërpre për shkak se tifozët bardheblu po shanin, nga ana tjetër, ultrasit elbasanas, përpos sharjeve që bënin, nisen nga sektori i tyre për të shkuar në atë ku ndodheshin bardheblutë. Përpos përpjekjeve, elbasanasit afrohen deri në një pikë ku ndodhen hekurat rrethues që ndajnë stadiumin për arsye sigurie. Brenda pak sekondave, aty mbërrin edhe një grup i tifozëve të Tiranës dhe në ato momente nuk mungojnë përleshjet. Stolat nga të dyja krahët fillojnë të vërshojnë mbi kokat e tifozëve, ku nga ana e verdhebluve nuk mungojnë edhe flakadanët në dëm të atyre nga kryeqyteti. Për disa minuta huliganët e të dyja kaheve u bënë “mbretër” të fushës, aq sa ia arritën të prishnin edhe takimin, duke qenë se ndeshja u ndërpre për aq minuta (8) sa edhe pati tension në shkallët e stadiumit.