•  "Enver Hoxha nuk ka patur zyrë aty"

Tiranë 26 Nëntor 2014 – Kostaq Karoli, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në vitet 1991-1992, i ka dhënë një intervistë gazetës “Panorama”, në të cilën sqaron të vërtetën e atij që sot quhet si Bunk’Art.

Dhe Karoli shprehet se në këtë vend, nuk ka qenë kurrfarë bunkeri antiatomik për Enver Hoxhën, por një vendstrehim për Shtabin e Përgjithshëm. Pra mjedisi i pompuar me kaq shumë zhurmë, nuk fsheh mëkatet e Diktatorit, as është ndonjë skutë e Diktaturës, nga ato që kureshtja nuk të lë edhe pa imagjinuar sesi mund të jenë, por është thjesht një vendstacionim ushtarak.

Nga ato që ka kudo e për të cilat mediat ndërkombëtare që kaq shumë u surprizuan nga Bunk’Art, nuk ndodh të surprizohen.

“Termi bunker nuk është i përshtatshëm për këtë objekt, ai është një strehim dhe i ndërtuar si vendkomandë e Shtabit të Përgjithshëm. Nuk ka qenë bunkeri i diktatorit, siç thuhet këto ditë, por vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në kohë lufte. Aty kanë qenë zyrat e Kryeministrit, të ministrit të Mbrojtjes, të sekretarit të Komitetit Qendror që mbulonte ushtrinë dhe të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, që janë në përmasa të mëdha. Ndërsa zyrat e tjera janë zyrat e Drejtorisë së Këmbësorisë, të Tankeve etj., sipas përbërjes së Shtabit të Përgjithshëm”, thotë Karoli

/Panorama/