26 nëntor 2014 –  Cesc Fabregas ndihet i fyer nga akuzat e bashkëkombasit të tij Sergio Ramos, pasi ky i fundit la të kuptohej se mungesa e mesfushorit në ndeshjet e fundit që Spanja ka zhvilluar me Bjellorusinë dhe Gjermaninë ishte si pasojë e një kompromisi të 27-vjeçarit me klubin e tij. Mesfushori i Chelseat humbi dy sfidat  kualifikuese për Euro 2016 si pasojë e një një dëmtimi në tendinë, por Ramos në atë kohë akuzoi Mourinhon, se i bind futbollistët e tij që të mos impenjohen për sfidat e përfaqësueses. Mbrotjësi i Real Madrid më pas e korrigjoi pozicionin e tij duke u shprehur se akuzat nuk ishin për Fabregas, por mesfushori nuk e beson diçka të tillë, duke i kërkuar Ramosit, që herë tjetër t’i konsumojë pakënaqësitë e tij në mënyrë të drejtëpërdrejtë, pa qenë nevoja për prononcime në media.

"Po, ndihem i ofenduar dhe këtë ia thashë Sergios gjatë një bisede telefonike që patëm. Më irritoi shumë fakti që u vu në diskutim  përkushtimi im.  Kam luajtur shumë herë me përfaqësuesen ashtu sikundër edhe kam qenë i grumbulluar e nuk jam aktivizuar. Kam luajtur 94 ndeshje me Spanjën në këto 9 vitet e fundit. Ky është një tregues i përkushtimit tim. Pata një dëmtim në tendinë dhe tërheqje muskulore dhe nëse do të kisha zbritur në fushë mund të kisha përfunduar me një dëmtim shumë serioz. Gjithsesi, Sergios ia bëra të qartë që nëse do të këtë diçka për të thënë në lidhje me mua atëherë duhet të më telefonojë dhe jo të më dërgojë mesazhe nëpërmjet medias. Më detyrohet kaq sepse ne jemi shokë skuadre që kur luanim për të rinjtë.”  Spanja do të rimarrë ritmin e takimeve europiane në 27 mars kur do të përballet me Ukrainën.