26 nëntor 2014 – Skuadra e Teutës vijon seancat stërvitore nën drejtimin e teknikut Begeja dhe të ndihmësit të tij Xhai në përgatitje për ndeshjen kundër Partizanit. Dy mungesa të sigurta do të ketë Teuta na përballjen e radhës. Kotobelli vuan dënimin e kartonit të kuq që mori në minutat e parë në përballjen e fundjavës së shkuar në Laç, ndërsa Koreshi vuan pasojën e një dëmtimi në pulpë, i cili e detyron mesfushorin të qëndroj disa ditë jashtë fushave të blerta. Pjesa tjetër e skuadrës është në dispozicion te teknikut Begeja. Ndërkaq trajneri i sapoemëruar i teutës, Gentjan Begeja, ka besim se pozitat e "djemve të detit" do të ndryshojnë shumë sjhpejt. Numëri një i pankinës durrsake shprehet se kërkesa e llogarisë do të jetë faktori kryesor të cilit do t'i përkushtohet fillimisht dhe më pas do t'i kushtoj vëmëndje harmonizimit të grupit të lojtarëve. Bgeja foli për rikthimin gjendjen e skuadrës dhe për temat më të rëndësishme që rrethojnë kampin durrsak, të cilët nuk e kanë nisur me këmbën e mbarë këtë sezon futbollistik:
“Kjo është eksperienca e dytë si trainer i pari i skuadrës së Teutës. Vendosa ta merja drejtimin e skuadrës, sepse unë jam rritur tek ky klub dhe ndiej përgjegjësi morale për të dhënë kontributin tim, me qëllim që të dalim nga kjo situatë që ndodhemi. Në punën time si trajner do të kem mbështjetjen edhe të dy kolegëve të mi, Markeljan Xhait dhe Ilir Biturkut, me të cilët njihemi prej vitesh. Situata dihet që nuk është ndër më të mirat, pasi skuadra vjen pas disa rezultatesh negative dhe duhet të punojmë fortë për të dalë nga kjo situatë ku ndodhemi. Unë e njoh këtë skuadër, pavarësisht se kanë ardhur lojtarë të rinj gjatë merkatos verore, pasi edhe pse nuk kamë qenë pjesë e stafit teknik nuk jam ndarë kurrë nga skuadra. Teuta e ka kontigjentin e nevojshëm, por do të jetë shumë e nevojshme gjetja e ekuilibrave. Ne si fillim duhet të vazhdojmë të punojmë fortë. Kërkesa e llogarisë do të jetë e rëndësishme, duke nisur që nga mua të parit dhe deri tek lojtari rezerv. Asnjë prej lojtarëve nuk e ka vendin e titullarit të sigurtë, atë do të fitojnë vendin e titullarit në bazë të punës përgjatë stërvitjeve. Sigurisht që kam besim, po mos besoja tek ky grup lojtarësh nuk do të isha këtu sot. Do të jetë e vështirë, këtë nuk e diskutoj, por shumë shpejt do të dalim nga kjo krizë rezultatesh. Gjatë kësaj jave do të përpiqemi të harmonizojmë grupin dhe të rikthejmë besimin në radhët e lojtarëve.”
Në lidhje me ndeshjen kundër Partizanit Begeja shprehet: “Partizani është një skuadër shumë e fortë dhe mjaftë e vështirë për t'u mundur. Por për mendimin tim përballja me Partizanin do të motivojë edhe më tepër lojtarët dhe në këto kushte edhe nëse do të ishte në dorën time do të zgjidhja që si kundërshtar të parë të kisha Partizanin. ne do të përgatitemi për këtë ndeshje dhe do të japim maksimumin në fushën e lojës. Gjatë kësaj jave ne po punojmë fort dhe do ta përgatisim në mënyrën më të mirë të mundëshme këtë përballje. Të gjithë e dinë rendësin e kësaj ndeshje, prandaj sa i përket motivimit nuk besoj se në këtë ndeshje do të jetë i nevojshëm, pasi motivimi kur luan më Partizanin vjen vetvetiu. Ne do të futemi në fushë për të marë maksimumin nga kjo sfidë, pra pretendojmë tre pikët. Kemi mungesën e dy lojtarëve që sigurisht që do të jetë problem, por kam përshtypjen se nuk do të vihen re në fushën e lojës. Ne kemi edhe lojtarë të tjerë të cilët do të luajnë në rolin e tyre dhe do ta bëjnë si duhet punën. E rëndësishme është të jemi të bashkuar dhe të kemi besim tek forca jonë, pastaj rezultati do të vij vetë.”





