· Kryetari i bashkisë Vangjush Dako shtron drekë pune në restorantin “Picante”
DURRËS, 26 nëntor 2014 – Fill pas festimeve me rastin e 102-vjetorit të ngritjes së flamurit në Durrës, të mërkurën, më 26 nëntor 2014, pasdite, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim kryetarin e parlamentit të Republikës të Turqisë, Xhemil (Cemil) Çiçek dhe delegacionin parlamentar turk që e shoqëronte.
Delegacioni i parlamentarëve të Turqisë i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe deputetë shqiptarë, ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Durrësit, ku janë ndalur në amfiteatrin e qytetit si dhe më pas në xhaminë Fatih. Kryetari i parlamentit turk Xhemil Çiçek shoqërohej nga bashkëshortja dhe sekretari i përgjithshëm i parlamentit İrfan Neziroğlu; deputeti i provincës së Izmirit dhe kryetari i grupit parlamentar të miqësisë Turqi-Shqipëri Rıfat Sait; deputetët Hysejin Burge (Hüseyin Bürge) i provincës së Stambollit, Emre Këpryl (Köprül) i provincës së Tekirdağ-ut, Lytfy Tyrkan (Lütfü Türkkan) i provincës së Koxhaelit (Kocaeli) etj. Zyra e kryetarit të bashkisë së Durrësit njoftoi se, para zhvillimit të vizitës në qytet, qytetari nr. 1 Vangjush Dako ka shtruar një drekë pune në restorant “Picante” për nder të delegacionit turk. Kjo pjesë e vizitës është mbajtur larg syrit të medieve vendore, madje nuk janë shpërndarë as foto për të marrë vesh se kush ishin të pranishëm të tjerë. Zyrtarisht thuhet se kanë drekuar edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për qarkun e Durrësit Blend Klosi, Klodianë Spahiu dhe Esmeraldë Shkjau, deputeti i qarkut të Tiranës, por rezident në Durrës Spartak Braho; prefekti i qarkut Durrës-Krujë Rolant Xhelilaj, kryetari i këshillit të qarkut Alfred Mullaraj. Gjithmonë sipas zyrës së shtypit, pasi ka shprehur mirëseardhjen në Durrës, Dako i ka njohur parlamentarët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha fushat, si dhe ka bërë një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike, por edhe turistike e kulturore të qytetit.
Kryetari i parlamentit turk Xhemil Çiçek ka shprehur kënaqësinë e tij për këtë vizitë në Durrës.
Çiçeku dhe Dakoja kanë diskutuar “mbi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe vëllazërore që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Turqisë, të cilat shtrihen në aspekte të shumta politike, ekonomike, tregtare, kulturore, arsimore, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë rajonal dhe në atë ndërkombëtar”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





