·        Zbulimi i monumentit të ri nuk do të pengojë punimet për rehabilitimin e sheshit “Liria”

DURRËS, 26 nëntor 2014 –  Heqja e shatërvanit nxori një pus, 14 metra larg ndërtesës së qeverisë bregdetare, nga ana tjetër, kjo gjë nuk do të pengojë punimet për rehabilitimin e sheshit “Liria”, pasi bashkia po përgatit një projekt të bërë të mundur ekspozimin e këtij monumenti.

Vetëm pas botimit nga “Dyrrahu” të një lajmi për zbulimin e një pusi gjatë punimeve që po kryhen për rehabilitimin e sheshit “Liria”, reagoi dhe drejtoria rajonale e kulturës kombëtare Durrës (DRKK). Sipas DRKK-së, vendndodhja e pusit në raport me godinën e bashkisë është rreth 14 metra distancë. Diametri i grykës së pusit është 80 cm dhe ka një thellësi të konsiderueshme. Nga ana e specialistëve është vërejtur se pusi është ndërtuar me materiale të ndryshme si gur, tulla, qeramikë, materiale ndërtimi të ngjashme me ato të zbuluara në zonën përreth.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës menjëherë ka sinjalizuar Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) dhe Ministrinë e Kulturës në lidhje me zbulimin e pusit. Me sa duket, punimet në sheshin “Liria” nuk do të ndërpriten, pasi sipas DRKK-së së Durrësit, “projekti i rehabilitimit të sheshit është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë”. Madje DRKK-ja thotë se bashkia e Durrësit po përgatit “një projekt për të bërë të mundur ekspozimin e pusit, projekt, i cili do të kalojë për miratim në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve në Ministrinë e Kulturës, tha drejtoria rajonale e kulturës kombëtare”.

Për ekzistencën e pusit ka pasur njoftime në vitet 1930, por pushtetarët vendorë të kohës së mbretërisë vendosën ta mbulojnë për të mundësuar ndërtimin e një shatërvani modest.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/