DURRËS, 26 nëntor 2014 – Ka pasur një përkim interesant, teksa në Durrës ndodhet një delegacion i parlamentit turk, të cilit rreth orës 13:00 i shtrohet një drekë në restorantin “Picante”, kurse bashkia e Durrësit, në orën 10:00, ka organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës në 26 nëntor 1912.
Ishin të pranishëm deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Esmeraldë Shkjau, prefekti Rolant Xhelilaj, kryetari i këshillit të qarkut Durrës-Krujë Alfred Mullaraj, veteranë, përfaqësues të Forcës Detare, komuniteteve fetare, qytetarë etj.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, flamurin pranë bashkisë e ka ngritur kryetari i saj Vangjush Dako, i cili mbajti dhe fjalën e rastit, ku deklaroi:
_2.jpg)
“Të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit. Jam i nderuar dhe i prekur të përsëris sot, 102
vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik, që kreu kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912 dhe se kjo është ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti në gjithë shekullin e 20-të e në vijim. 102 vjet më parë përfaqësuesit e qytetit të Durrësit vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga perandoria osmane.
Ne u kushtojmë nderimin e merituar atyre veprimtarëve që i përballuan këto detyra historike dhe e siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë me njerëz të devotshëm, të kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi. Mendja dhe nderimi ynë shkojnë sot tek Agostin Sereqi, Sotir Veveçka e Sulejman Kadiu, te Stefan e Marie Kaçulini; te të gjithë ata që përgatiten dhe valëviten flamurin kombëtar në qytetin tonë; për delegatët durrsakë Dom Nikollë Kaçorri, Abaz Çelkupa, Mustafa Basha, të cilët, dy ditë më pas, nënshkruan në dokumentin historik të shpalljes së pavarësisë. Sot mund të duket se ata burra e ato gra të zonja, që patën vetëdijen politike dhe guximin vetjak të ngrenë flamurin kombëtar më 26 nëntor 1912 bënë thjesht një manifestim”.
Më pas të pranishmit e tjerë kanë vizituar mjediset e Galerisë së Arteve Pamore “Nikolet Vasia”, ku është çelur një ekspozitë me piktura nga fondi, që kanë si tematikë festat e nëntorit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
_3.jpg)





