DURRËS, 25 nëntor 2014 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka deklaruar se Bashkia e Durrësit ka nisur punën me një tjetër projekt të rëndësishëm siç është ai i rikualifikimit të zonës së Plepave në plazhin e Durrësit. Sipas kryebashkiakut Dako kjo zonë do ta ndryshojë krejtësisht pamjen e saj pas përfudnimit të këtij projekti: “Gjatë punës sonë e kemi pasur të pamundur të mos e konsideronim qytetin si një qenie të gjallë, e si e tillë, hapësirat publike janë trajtuar nga në gjithmonë si pjesë për tu kuruar në mënyrë që të shfrytëzojmë energjinë e tyre maksimale. Përzgjedhja e tyre ka qenë një lloj procesi akupunkture për ne, pasi kemi vënë re që pas “shërimit” ato kanë sjellë në jetë një komunikim dhe lidhje shumë më të fortë midis qytetarëve, për cilësinë e projektit dhe vendodhjen e tij. Kështu besoj se hapësirat publike të jetuara janë çelësi i planifikimit të një qyteti të madh. Pasi mbaruam Shqiperinë e asfaltit, ku tema kryesore që vinte nga problematika kryesore , ishte shtrimi i rrugëve, tani fokusi ynë është hapësira urbane në një nivel tjetër, tërësisht europian.” Një zonë e cila do ta ndryshojë krejtësisht pamjen është zona e Plepave në plazhin e Durrësit. Aktualisht kjo zonë është e degraduar jo shumë në infrastrukturë por në konteksin ku ajo ndodhet, pasi për kalimet e mjeteve dhe këmbësorëve në Plepa e kanë bërë zonën një labirint me rrugë që ndërthuren nga çdo anë. Fluksi këmbësor nuk është aspak i kontrolluar, mungojnë kalimet këmbësore, trotuaret janë të papërshtatshëm etj.
Punimet për rikualifikimin e kësaj zone bazohen në këto pika kryesore:
-Rikonceptimi i lëvizjes së mjeteve në rrethrrotullim
Konceptimi i lëvizjes në këtë rrethrrotullim është bërë duke ndërtuar përvec rotondës në qendër të rrethrrotullimit edhe disa “ishuj” me trotuare të cilat ndanin lëvizjen e mjeteve para se të futen në rrethrrotullim. Kjo ide e dhënë nga projektuesit e mëparshëm dhe e zbatuar, nuk ka funksionuar deri më sot. Këto vende ose hapësira rrugore më shumë kanë shërbyer si vend qëndrime për makinat dhe qytetarët që hipin e zbresin ose shesin mallra të ndryshëm duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve. Në projektin e ri këto “ishuj” eliminohen, qendra e rrethrrotullimit është zhvendosur nga ajo ekzistuasja me rreth 3.9 m në drejtim të verilindjes dhe është zmadhuar rrezja e rrethrrotullimit nga 8m në 12m. Është zvogëluar rruga brenda rotondës nga 12m në 8m dhe janë dizenjuar trotuaret midis rrugëve që mjetet ti drejtohen rotondës dhe të përdorin lëvizjen rreth saj për të kaluar nga një drejtim në drejtimin tjetër.
-Krijimi i një stacioni autobuzash inter-urban për pjesën jugure të vendit
Projekti ka si qëllim të vetën dhe krjimin e stacionit inter-urban për zonën jugore, pozicioni ku zhvillohet ky projekt e mundëson këtë. Vendosja e një stacioni të tillë në këtë zonë ndihmon dhe lehtëson shumë lëvizjen dhe qakullimin e mjeteve në qytetin e Durrësit. Kështu të gjthë autobuzët që lëvizin për në jug të vendit do të pozicionohen këtu dhe do të përdorin këtë vend për nisjen dhe mbërritjen. Në këtë projekt është parashikuar dhe ndërtimi i një ndërtese me çati të gjelbëruar e cila do të shërbejë si biletari, vend qëndrimi, pushimi, në të do ketë bar, fastfood dhe nyje higjeno sanitare. Hapësira nën urën e mbikalimit do të sistemohet dhe do të shërbejë si vend qëndrim për autobuzat që presin orarin e nisjes.
-Sistemimi dhe rikualifikimi i gjithë hapësires urbane të zonës
Ky projekt bashkëkohor jo vetëm që ndërhyn në skemën e qarkullimit në rreth-rrotullim dhe parashikon ndërtimin e një stacioni autobuzësh, por me sistemimet në të gjithë zonën,si: ndërtimi i trotuareve, shesheve të gjelbëruara, pozicionimi i stolave dhe i vendpushimeve për qytetarët, mbjellja e pemëve dhe gjelbërimi e modelimi i planeve të ndryshme në kuota të ndryshme, e kthen gjithë hapësirën në një hapësire komunitare dhe një pikë referimi e memorjeje për qytetin.





