– Fragmente nga kujtimet e ish-togerit perandorak rus, major i monarkisë shqiptare dhe gjeneral-brigade i ushtrisë italiane, Lev Pavloviç Sukaçiov (1895-1975) –

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 24 nëntor 2014 – “Dyrrah”-u po boton kujtimet e një majori rus të ushtrisë mbretërore shqiptare, L. P. Sukçiov (transkriptimi anglisht: Sukachev), që flasin për krijimin e një detashmenti ushtarak prej 108 emigrantësh rusë në Jugosllavi, që ndihmuan në rrëzimin e Fan Nolit, në dhjetor 1924.

Me interes historik është fragmenti i fundit i kujtimeve, ku flitet për momentin e zgjedhjes së Ahmet Zogut si President i Shqipërisë nën kërcënimin e armëve të mercenarëve të huaj.

FORMIMI I DETASHMENTIT  “Topa malorë të përdorur nga detashmenti rus që ndihmoi në rrëzimin e qeverisë shqiptare…”

Së bashku me Miklashevskin filluam në rrugët e Beogradit, të rekrutonim rusë, në mbrëmje e po asaj dite në detashment ishin 108 veta, dhe shëndoshë e mirë udhëtuam për në Shkup.

Nga atje kaluam në këmbë në Dibër, ku më 16 dhjetor [1924] u formua përfundimisht detashmenti rus. Komandant u caktua kolonel Miklashevskij, ndihmës i tij – kolonel Berestovskij, shefi i shtabit, pjesë e shtabit të përgjithshëm, – kolonel Rusinov, komandant baterie – kolonel Barboviç, shef i skuadrës mitraliere – kolonel Ullagaj. Unë u caktova komandant toge. Gjithsej në detyra oficerësh ishim 15 veta, me armatim, të përbërë nga tetë mitraloza italianë “Fiat” dhe 4 topa malorë bronzi austriakë, që më kujtonin rininë e hershme të perandorit Franc Jozef.

DY TREKËMBËSHAT E PESHKOPISË

Filloi marshimi. Pas kalimit të kufirit shqiptar, më 17 dhjetor 1924, hasëm në qëndresën e armikut në rrethinat e Peshkopisë. Duke mësyrë nga fshati i Blatës, hymë me luftë në qytet, pasi kapëm rob komandantin e garnizonit Ali Reza, pesë oficerë, 400 ushtarë të këmbësorisë të rregullt, shumë të vullnetarë, një top malor (më i “i ri” se katër obusët tanë) me numërorin, kuajt dhe ngarkesën, katër mitraloza, tri mortaja, shumë armë dhe predha.

Menjëherë liruam nga burgu i qytetit kundërshtarët e pushtetit të peshkopit Fan Noli [edhe ne vitin 1964, kur u shkruan këto kujtime, autori e shkruan emrin e peshkopit shqiptar kryeministër “Fanoli”, në përkthim respektohej trajta shqip “Fan Noli”], që ishin atje. Në sheshin kryesor ishin ngritur dy trekëmbësha. Sigurisht, ne ishim kureshtarë të dinim se cilët do të vareshin: sipas disave – shqiptarë, mbështetës të Ahmet Zogut; ndërsa të tjerë sqaronin se në ta duheshin varur pjestarë të detashmentit tonë…

GILARDI

Atje, në Peshkopi, u bashkua me ne detashmenti i Gilardi-t. Personaliteti i këtij aventurieri, i përshkruar nga Breshko-Breshkovskij, është interesant dhe në mënyrë tipike piktoresk për Ballkanin e fillimit të shekullit të 20-të. Me origjinë italiane, para Luftës së Parë Botërore, ishte oficer austriak. Vëllai i tij angazhohej në politikën e madhe të Austro-Hungarisë. Gjatë një atentati të radhës kundër tij, gabimisht iu vra e ëma. Në gjyq vrasësit iu dha pafajësia, pasi u pranua karakteri politik i krimit. Me t’u dhënë vendimi i pafajësisë, duke mbrojtur nderin e familjes, kapiten Gilardi, po në këtë gjyq shtiu kundër vrasësit të së ëmës dhe e vrau në vend. Pas këtij akti iu desh jo vetëm të largohej nga shërbimi ushtarak austriak, por dhe të fshihej jashtë kufijve të Austro-Hungarisë me qëllim që t’i shmangej ndjekjes penale. Në Shqipëri ai filloi sërish karrierën ushtarake: luftoi 18 herë kundër Serbisë. Emri i tij lidhej gjithmonë me aventura të ndryshme… 

PARADA

Pra, fitorja jonë e parë, marrja e Peshkopisë, mbeti prapa. Më 18 dhjetor, Ahmet-beu dhe shpura e tij erdhën këtu. Po atë ditë, në orën 10 e 30 minuta të mëngjesit, mbreti i ardhshëm i Shqipërisë mori pjesë në një paradë, në krye të së cilës parakaloi detashmenti ynë rus. Ky ishte triumfi ynë i parë, por kurrsesi i fundit në territorin shqiptar. Banorët e qytetit, si dhe shqiptarët e lokaliteteve të vendosura afër dhe tashmë “të çliruar” nga pushteti i Fan Nolit, u mblodhën turma-turma nga koloneli Cena-beg Kryeziu për të përshëndetur Zogun dhe detashmentin rus.

NAMI

E pranoj se më pëlqente të isha luftëtar-çlirimtar, por neve na u dha shpejt mundësia për të shijuar lavdinë e ngadhënjimtarëve: tashmë, më 20 dhjetor, morëm urdhër të marshonim në drejtim të Tiranës. Gjatë kësaj kohe reputacioni i detashmentit tonë ia doli të rritej deri në kufijtë e një miti të madh. Me sa duket, u ringjallën legjendat e kohëve të [Mihail] Skobelev-it [(1843-1882), gjeneral i famshëm i luftës ruse-turke] mbi pathyeshmërinë e armëve ruse, forcën e trupave rusë. Me pak fjalë, thuhej se, bashkë me Ahmet- beun, vjen një ushtri ruse prej mijëra ushtarësh. Si rezultat i këtij “informacioni” armiku u tërhoq në panik: në përgjithësi ne nuk pamë kundërshtar, ndonjëherë vetëm kalonin nëpër llogore të gërmuara, por të braktisura. Me të mbërritur deri te “mali” [shqip në origjinalin rusisht] i Dajtit, që ngrihet mbi Tiranën – ishte një ditë e kthjelltë dimri – pamë katër vaporë që po largoheshin nga porti “budalla” (d.m.th. porti i Durazzo-s) [Këtu autori bën një lojë fjalësh me humor banal ushtarësh: ka përdorur mbiemrin rusisht “durackij”, që përkthehet “budalla”, meqë ka ngjashmëri me fjalën italisht “Durazzo” për “Durrës”]. Ky peshkopi Fan Noli, pasuesit e tij dhe misioni sovjetik u larguan nga Shqipëria… Për vendin u hap faqja e re e historisë…

DAFINAT

Ëndrra e Zogut u realizua në Krishtlindjet e vitit 1924. Tirana dhe pushteti i Fan Nolit ranë. Më 26 dhjetor detashmenti rus hyri në kryeqytetin e Shqipërisë. Në hyrje të qytetit, na priti një orkestër ushtarake, rrugët e zbukuruara me flamuj ishin mbushur me njerëz, që na përshëndesnin me gëzim. Në të gjitha anët dëgjohej një “Roft!” [shqip në origjinal] e fuqishme.

Për një kohë mjaft të gjatë detashmenti ynë nuk u mor me asgjë tjetër veçse me mbledhjen e dafinave të fitimtarëve. Na vendosën përkohësisht në një shtëpi të madhe, korridoret e së cilës pas disa javësh ishin mbushur me shishe vodke boshe, saqë ishte e vështirë të kaloje…

SHAMIA E BARDHË

Ndërkohë, Ahmet-beu u angazhua në çështjet shtetërore dhe po përgatitej në ethe për të ndryshuar statutin e Shqipërisë. Për herë të parë në të gjithë historinë e saj u zhvilluan zgjedhje për Asamblenë Kushtetuese. Për këtë “parlament”, sikurse e quanin shqiptarët Asamblenë Kushtetuese, u përshtat shtëpia e oficerëve. 

Detashmenti rus në Tiranë ishte e vetmja njësi ushtarake e organizuar në Shqipëri, dhe Ahmet-beu na urdhëroi të radhiteshim përballë ndërtesës, ku mblidheshin deputetët e vendit, të zgjedhur për herë të parë me votime. Vetë Zogu qëndroi në rezidencën e tij personale në pritje të vendimit të parlamentit lidhur me statusin e ri të shtetit: me propozim të Ahmet-beut, Shqipëria duhej të shpallej Republikë (në vend të Regjencës), kurse vetë ai, Zogu, – president. Detashmenti rus kishte marrë urdhër të priste kur të dilte një person i besuar i Ahmetit në ballkonin e ndërtesës së parlamentit.

Në rast se deputetët miratonin propozimin e Zogut, ky person i besuar i tij duhej të tundte një shami të bardhë, kurse në rast vendimi negativ – duhej të dilte me shpejtësi nga ndërtesa dhe të kalonte me vrap sheshin në drejtim të detashmentit tonë. Kishim marrë urdhër të drejtonim të gjithë armët që kishim në dispozicion – 4 topat dhe 8 mitralozat – mbi Asamblenë Kushtetuese, ndaj të cilit, në rast të vendimi negativ, ne duhej të hapnim zjarr me breshëri…

Përgjigja e favorshme nuk la të prisnim gjatë. Nga ballkoni na tundën disa herë një shami të bardhë. Zogu u zgjodh njëzëri presidenti i parë i Republikës së re Shqiptare … Ne ngritëm lart tytat e topave dhe mitralozave dhe përshëndetëm republikën e re dhe presidentin e saj, i cili nuk vonoi të vinte në parlament.

Shënim: Përkthimi i fragmenteve nga origjinali rusisht, sqarimet në kllapat katrore, titulli dhe mes-titujt janë të autorit të shkrimit.

Info 1 / Kreu i Republikës përmes radhëve kozake “Pranverë 1925. Ahmet Zogu kthehet në rezidencën e tij nga Parlamenti / ndërtesa e shtëpisë së oficerëve / ku u shpall President i Republikës Shqiptare”. Ky është shënimi poshtë fotos i vetë autorit të kujtimeve, L.P. Sukaçiov”

Është një foto e rrallë e botuar në revistën e përmuajshme në gjuhën ruse që botohej në SHBA “Vestnik Pervopokhodnika”.

Ky periodik i kushtohej fushatës së parë antibolshevike gjatë Luftës Civile në BS pas revolucionit të tetorit 1917, po ashtu revista ka trajtuar historinë e armatave të bardha.

Revista botohej nga shoqata e ish-ushtarakëve të bardhë rusë me banim të Los Anxheles të Kalifornisë, SHBA.

Ka dalë në vitet 1961-1970 me 68 numra dhe shtypej në rotativë.

Kjo ka bërë që koleksionet të jenë një rrallësi bibliografike dhe ruhen në koleksionet arkivore të disa universiteteve amerikane.

Fotoja që po ribotohet, ka ilustruar kujtimet e Sukaçiovit në numrin 33, qershor 1964 të së përmuajshme “Vestnik Pervopokhodnika”.

Përmendim se kujtimet e plota janë botuar në shumë numra të revistës, ku ka fakte të tjera të panjohura edhe për historianët rusë dhe shqiptarë.

Botimi në kohën e Luftës së Ftohtë dhe në shaptilograf e ka bërë pothuajse të pamundur konsultimin e koleksioneve. 

Duke iu rikthyer fotos që ilustron paragrafin e fundit të fragmentit të kujtimeve të përkthyera, vërehet se ajo ka cilësi të dobët tipografike dhe është e dëmtuar rëndë djathtas (është zhvatur shtresa e sipërme), ku shihen rusë me qeleshe shqiptare. Po ashtu dhe ka dëmtim djathtas te makina ku udhëton Presidenti Ahmet-bej Zogu.

Fotoja ka pika të shumta boje në qiell dhe në pjesët e tjera.

Në plan të parë është makina e zbuluar, në ndenjësen prapa të së cilës është ulur ai që do të bëhej pas 3 vjetësh mbret i shqiptarëve.

Zogu mban një turban të bardhë në kokë.

Majtas, në plan të dytë janë ushtarët rusë të rreshtuar kolonë për një në qëndrim gatitu.

Në fund dallohet selia e parlamentit dhe hyrje një grup njerëzish, me sa duket, deputetë. /th. m./

Info 2 / Lev Pavloviç Sukaçiov (1895-1975) “Major L. Sukaçiov [në mes], me shtabin e tij (1939) [shënim i vetë autorit të kujtimeve]”

 “Ushtarak nën tre flamuj”, kështu quhen kujtimet vetjake të Lev Pavloviç Sukaçiovit (1895-1975).

Në Luftën I Botërore ka shërbyer në kalorësinë perandorake ruse dhe pastaj kaloi në aviacion. Kur në Rusi filloi Lufta Civile, kaloi në anën e monarkistëve, ose “gardistëve të bardhë” (rusisht: “bjellogardistë”).

Pas disfatës me bolshevikët, në vitin 1921, shkoi në emigracion, në Beograd, ku dhe pranoi ftesën për pjesëmarrje në një fushatë në Shqipëri.

Sipas Sukaçiovit, në kohën e Zogut arriti të bëhet shef shtabi i përgjithshëm me gradën e majorit.

Kurse pas pushtimit të Shqipërisë nga italianët, kaloi në shërbim të këtyre të fundit si komandant i Gardës Shqiptare pranë mbretit italian, kjo me pëlqimin e mbretit Ahmet Zogu, para se ky të largohej, kujton Sukaçiovi.

Luftoi në Stalingrad në përbërje të armatës së 8-të italiane me gradën e nënkolonelit dhe, pas shpartallimit të saj, u kthye në Shqipëri.

Kur Italia kapitulloi, qëndroi në shërbim në ushtrinë italiane dhe në vitin 1947 arriti të marrë gradën e gjeneral-lejtnantit.

Gjatë kësaj kohe, deri në fund të jetës së Zogut, Sukaçiovi bashkëpunoi me mbretin shqiptar në mërgim.

Pastaj ai shkoi në SHBA, ku dhe vdiq.

10 vjet më parë, po në SHBA, kishte mbyllur sytë dhe Fan Noli.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/