Nga Gjergj Thanasi
DURRËS, 24 nëntor 2014 – Dy herë rresht Vangjush Dako për turp të zotit mundi dy burra zonja të PD-së durrsake. Si antidotë për një fitore të tretë të Dakos, në fillim u mendua jo fort pa pabaza, që përballë Dakos të vendosej një grua burrneshë . Si variant ka arsyetim dhe ndoshta mund të kishte edhe shanse fitoreje. Fatkeqësisht hesapet e provincës durrsake nuk përkojnë me llogaritë e metropolit të Tiranës. Mbas një këmbënguljeje të deputetit Duka, e përkrahur edhe nga kreu i partisë së vet, deputeti republikan Mediu selia blu ka filluar ta shohë jo vetëm si të mundshme, por edhe të dëshirueshme një kandidim të deputetit Duka, si përfaqësues i së djathtës së bashkuar kundra Vangjush Dakos si përfaqësues i Partisë Socialiste.
Një kandidim i tillë do të ishte shumë i dobishëm për udhëheqësinë e PD-së veçanërisht të binomit Basha-Berisha. Kandidimi i deputetit Duka për kryebashkiak në Durrës, normalisht do rriste shanset për një betejë më të fortë, madje edhe për një fitore antidako. Ky kandidim do të shërbente si akt diversioni perfekt për të testuar qëndrueshmërinë e koalicionit Rama-Meta. Nëse djathtas kandidon z.Duka, majtas është totalisht e pamundur, që të kandidojë kunati i tij Koka për LSI-në. Ndonëse, siç ka pas shkruar Bedri Dedja, Shqipëria është republika e 1001 çudirave, gjithsesi edhe çuditë kanë fund d.m.th. nuk mund të ketë farsë kaq ashiqare, sa në Durrës të kandidojnë dy kunetër kundra njëri-tjetrit. Nëse Rama nuk i jep LSI-së Durrësin për të kandiduar atëherë, çfarë tjetër mund ta kënaqë vallë oreksin tashmë proverbial të zotit Meta për pushtet e para?! Mbetet bashkia e Tiranës, ku do të kandidonte fare mirë bashkëshortja e z. Meta, deputetja Kryemadhi. Me një Monikë kryebashkiake të Tiranës, Meta nuk do të kishte më frikë për të ardhmen politike, por ndoshta edhe fizike të familjes së tij.
Ilir Meta e ka të qartë se megjithë kapacitetet e jashtëzakonshme të Monikës, do të ishte e pamundur për të, ta mbante të bashkuar tufën e deputetëve të LSI-së në epokën post-Meta. Në këtë kontekst, Rama mund t’i blinte deputetët e LSI-së me çmime edhe më të ulta se ç’po blen deputetët çamë. Nisur nga përvoja e Ramës, që përdori postin e kryebashkiakut të kryeqytetit për të akaparuar postin e kryetarit të PS-së, mund të themi se me Monikën kryebashkiake të Tiranës, trashëgimia e Metës në LSI mbetet e sigurtë. Duke pasur para sysh edhe shembullin e Dora Bakojanasit në Greqi, telashet nga aleati lubi nuk do kenë të sosur për Ed Ramën, nëse Monika bëhet kryebashkiake e Tiranës dhe kryetare e ardhshme e LSI-së. Pra, me zënien e pozicionit të Durrësit nga Duka si përfaqësues i së djathtës, dyshja Berisha-Basha e vë Edi Ramën përballë një dileme ekzistencialiste. Të mos pranojë Monikën për kandidate në Tiranë rrezikon prishjen e koalicionit dhe ndoshta, daljen në opozitë të PS-së. Qenia e PS-së në opozitë ose jo do të varet nga fakti se kush do blejë më shumë deputetë Meta nga PS-ja (deri tani ka blerë 2 copë) apo Rama nga të pakënaqurit e PD-së (Rama është ca kurrnac për fat të keq). Të pranojë Monikën kandidate ruan koalicionin, por duhet t’i bëjë hesapet për të ardhmen e vet politike jo me muaj (në varësi të gjendjes shëndetësore të Kryeparlamentrit), por me dekada, sepse Monika është si kokrra e mollës dhe relativisht e re në moshë. Tamam dilemë hamletiane: të përplaset sot me rrezik dalje në opozitë apo të durojë Monikën nëpr këmbë, derisa Zahoja të bëhet për në gjimnaz?!
Nëse Berisha-Basha caktojnë Dukën për kandidaturë anti-Dako, a mund të fitojë zoti Duka? Berishës si makiavelist i zoti as nuk ia ndjen fare nëse fiton apo jo, sepse fundi i fundit ai ka 14 vjet, që nuk fiton në Bashkinë e Durrësit, kështu që nuk u bë qameti, po nuk fitoi kësaj rradhe. Me kadidimin e z.Duka, Berisha edhe në rast humbje fiton diçka; vendin bosh të Dukës në Parlament do e zërë një deputet shumëfish më i dëgjueshëm ndaj Berishës dhe Mediut, se sa z. Duka. Nesër, kur edhe një mandate deputeti mund të ketë vlerë të madhe në pazarin parlamentar edhe kaq nuk është pak. Përçarja e koalicionit apo rritja e paranojës në kokën e Kryeministrit Rama është me të vërtetë një fitore speciale për Berisha-Bashën; fitore kjo e arritur me zero investime, sepse siç thamë në Durrës PD-ja nuk ka se ç’të humbasë, sepse ka që në vitin 2 000, që nuk fiton dot apo nuk e mbron dot fitoren nga vjedhja.
Për të llogaritur paraprakisht se kush fiton në një përplasje Dako-Duka është një mision thuajse i pamundur, sepse ekuacioni ka shumë të panjohura. Nuk dihet sa vota humb Duka në qytetin e Durrësit ndër votuesit e djathtë, për shkak të akuzave të qëmotshme të Salës me Klan Zemuni e me Dukë të krimit. Nuk dihet edhe sa vota mund t’i rrjedhin Dakos në qytet nga konsumi i dy mandateve në pushtet. Ashtu si është fort e vështirë të përllogaritet, sa vota plus merr Dako nga orteku i punëve publike (shtrim rrugësh, rikualifikim sheshesh, mbjellje pemësh, përmirësim ndriçimi etj.), që po ndërmerr Dako në qytet me vlerë prej miliona eurosh. Po ashtu nuk dihet se kush do të jetë më i zoti, Duka apo Dako për të blerë votat e katundarisë nga Katundi i Ri deri në Ishëm. Nuk dihet se sa nga ato kontigjente të LSI-së, që janë anti Lefter Kokë thjesht për inat do votojnë pro Dakos dhe kundër Dukës. Shkurt me kaq të panjohura është e pamundur të bësh fallxhorin e të thuash paraprakisht se kush do jetë nesër kryebashkiak i superbashkisë Durrës. Një gjë mund të thuhet me siguri, që sot: dyshja Berisha-Basha me një kandidaturë si z. Duka i hap telashe pa fund Kryeministrit Rama dhe koalicionit të tij me Kryeparlamentarin Meta.
Besoj se është krejt e kotë të flasim sesa e moralshme do jetë për të djathtën kandidimi i zotit Duka. Nuk mund të flitet për moral në politikën e së djathtës në momentin, kur një komunisto-punisto-socialist si Kastriot Islami u bë deputet demokrat nuk mund të flitet më për moral. Nga ana e së majtës në momentin, kur Bila Kola bëhet drejtor i emëruar nga një Kryeministër socialist nuk mund të flitet më për moral. Bilali, gjyshi i Bilait të sotëm u ekzekutua në Kalanë e Shkupit falë bashkëpunimit të komunistëve shqiptarë të Enver Hoxhës me komunistët maqedonas të Llazar Kolishevskit. I ati Kurti u kalb burgjeve dhe familja e Kolajve bëri mbi një qind vjet burg e nja 500 vjet internim me tela me gjemba e pa tela me gjemba. Sot vetëm debilët, të cilët fatkeqësisht nuk janë fort të paktë në Shqipëri, votojnë majtas, se e kanë pasur gjyshin partizan dhe babanë kryetar kooperative apo votojnë djathtas se e kanë pasur gjyshin ballist dhe babanë kulak. Sot njerëzit me dy pare mend në kokë kësaj politike k…i përgjigjen duke e mprehur mirë majën e lapsit para se të votojnë d.m.th. duke bërë llogari se ku përfitojnë më shuëm, para se ta hedhin votën në kuti. Pikërisht zgjedhjet e ardhshme dhe një duel i mundshmë Dako-Duka do të tregojë edhe se nga fryn era e pragmatizmit.
Analiza e mësipërme nuk është fantazi, prodhim i gjumit të pas drekës. Si indikacion, që kandidatura e z. Duka është bërë fakt i kryer, shërbejnë edhe daljet e shpeshta në publik, në takime me demokratët durrsakë të kryetarit të PD-së z.Osman Stafa së bashku me z. Duka madje edhe të shoqëruar me deputetë durrsakë. Tashmë nuk është secret që z. Stafa ka një linjë preferenciale kontakti me z. Basha de juro kryetar i PD-së. Pikërisht njohuri të tilla prej njeriu të brendshëm në kupolën e PD-së e bëjnë z. Stafa, që të fillojë si larg e larg prezantimin e z.Duka në rrethet e demokratëve durrsakë.





