23 nëntor 2014 – Xhani De Biazi nuk i kursen elozhet në Itali për fantazistin Ledian Memushaj. Duke folur për gazetën “Il Centro” të Peskarës, trajneri i Kombëtares shqiptare tregoi se si do t’i shfrytëzojë cilësitë e mesfushorit vlonjat në skuadrën e tij. “Peskara ka në përbërjen e saj një udhëheqës të madh të Shqipërisë. Mesfushori luajti në ndeshjen kundër Italisë dhe, sipas De Biazit, ka një goditje vdekjeprurëse”, niste shkrimi i së përditshmes italiane, ndërsa më pas fliste vetë trajneri kuqezi. “Memushaj luajti një ndeshje të shkëlqyer në Francë. Gjithashtu kundër Italisë ai më dha një përshtypje të mirë për pozicionin e tij përpara mbrojtjes. Ka kaluar një dëmtim serioz dhe po kthehet në formë të lartë shumë shpejt. Memushaj është një lojtar i kompletuar, që mund të luajë në role të ndryshme në mesfushë. Natyrisht në qendër do të jetë më i dobishëm, për shkak se ai mund të avancojë vetë përpara, për të shfrytëzuar gjuajtjen e tij vdekjeprurëse”, është shprehur fillimisht De Biazi. Ndërkohë, sipas “Il Centro”, lojtari shqiptar që aktivizohet te Peskara në Itali është simbol i kokëfortësisë. “Gjashtë muaj më parë ishte në sallën e operacionit për të operuar ligamentet kruciate, ndërsa tani është një kandidat për të marrë rolin e liderit jo vetëm te Peskara, por edhe në Kombëtaren shqiptare. De Biazi është i pari që i ka thurur lavde 28-vjeçarit vlonjat. Pas pushimit të gjatë është kthyer më 25 tetor të aktivizohet në Serinë B dhe që atëherë ka luajtur në total 6 ndeshje, pra në çdo katër ditë. Të martën në Xhenova ishte pranë golit në dy raste. Ndërkohë, disa njerëz shqetësohen pse Memushaj nuk po e bën hapin e madh akoma”, citohej ndër të tjera në komentin e gazetës italiane.
“Nëse ai nuk do të kishte pësuar dëmtime të rënda, sot do të ishte në një nga klubet me të mira në Itali. Ai është tashmë me shumë përvojë, një djalë serioz dhe i zgjuar. I ka të gjitha cilësitë për t’u bërë udhëheqësi i Peskarës”, deklaron për Memushajn trajneri i Kombëtares shqiptare, duke vlerësuar se sot ai mund të ishte në një ekip të madh. Sipas De Biazit, teknika e Memushajt, përzier me forcë dhe zgjuarsi, e kanë bërë atë një nga mesfushorët më të mirë në Serinë B. Sipas gazetës italiane, Peskara do të përpiqet ta blindojë lojtarin, për t’u bërë ballë sulmeve të merkatos, që me siguri do të ndodhin. Pritet që klubi bardheblu të paguajë pjesën e kartonit te tij te Leçe dhe kjo nuk do të jetë një problem, teksa flitet për vetëm 200 mijë euro.





