DURRËS, 22 nëntor 2014 –  Të shtunën, datë 22 nëntor, ora 10:06, paradite, agjencia e lajmeve “Dyrrah” pa nga larg Kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako.

Të dy kishin zbritur nga makinat, në rrugën “Taulantia”, afër “Bërrylit”, dhe po shkonin drejt bregut të detit.

Z. Dako i konfirmoi agjencisë së lajmeve “Dyrrah”:

“Kryeministri erdhi në Durrës vetëm për një kafe, që e pimë në restorant ‘Picante’ para se të shkonte në çeljen e muzeut ‘Bunk’Art’”.

Është për t’u vënë në dukje se në orën 9.30, gjysmë orë para se të mbërrinte në Durrës, z. Rama ka postuar këtë status në rrjetin social Face Book: “Në [orën] 11 sot çelim për publikun bunkerin e fshehtë antiatomik të diktaturës komuniste! Çudira të vjetra e surpriza të reja në një pallat në tokë”. Por, në fakt, orën e përurimit të ekspozitës Kryeministri e ka shtyrë deri në kohën kur opozita të organizonte mitingun kundër tij. Me sa duket, buzë detit, në lokalin e frekuentuar nga VIP-a të Durrësit e kryeqytetit si dhe nga të huaj, z. Rama është munduar të shkarkojë stresin e e një fundjave me ngarkesë politike.

Kreu “me letra” i PD-së, z. Lulzim Basha, i bënte thirrje shefit të shumicës qeverisëse të dilte nga bunkeri, ku ndodhej me ministra dhe ambasadorët z. Aleksandër Arvizu e Masimo Gajani.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/