TIRANË, 22 nëntor 2014– Qytetarë janë mbledhur fillimisht në sheshin Skënderbej e më pas në bulevardin Dëshmorët e Kombit, për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Protesta ka për qëllim të detyrojë qeverinë të tërhiqet nga masat e saj shtrëguese, si rritja e taksave apo e çmimit të energjisë, si dhe kundër disa veprimeve të qeverisë, që opozita i quan si antiligjore. Për Partinë Demokratike, situata ekonomike në vend sa vjen e përkeqësohet, ndërsa qytetarët varfërohen çdo ditë e më shumë.

Protesta u hap nga disa qytetarë, të cilët folën për paunësinë, rritjen e tarifave të studimeve të larta, pamundësinë për të paguar çmimin e energjisë, pasi familjet e tyre nuk kishin asnjë të punësuar dhe për probleme të tjera. Më pas, kryetari Basha, duke akuzuar qeverinë për këtë gjendje të rëndë, i drejtoi disa kërkesa asaj:

“Mos e bëj më të vështirë jetën e shqiptarëve! Mos e rrit çmimin e energjisë! Mos i rrit taskat dhe ul shpenzimet qeveritare, sepse nuk mban më! Hiq dorë para se të jetë vonë!”

Duke thënë se kjo qeveri nuk i ka mbushur premtimet, kryetari i opozitës u shpreh: 

Kur nuk përmbushen premtimet, jepet dorëheqja ose rrëzohet qeveria. Koha po kalon, njerëzve po u soset durimi. Ju nuk po përmbushni detyrimet tuaja. Përdndryshe ju paralajmëroj se nuk e pranojmë qeverinë e mashtrimit. Ne do t’ju largojmë!Prandaj mos kini shprese se do ndalemi, se do mposhtemi, se do lodhemi. 

Basha tha se njerëzit pranë Ramës e Metës po i shtojnë pasuritë në mënyrë të frikshme, ndërsa qeverisja e tyre po u merr frymën qytetarëve.

/lapsi.al/