21 nëntor 2014 – Shërbimi kombëtar i luftës kundër krimit në Angli po heton mundësinë e një bashkëpunimi midis bandave të strukturuara kriminale shqiptaredhe mafies polake, vecanërisht atyre grupeve mafioze polake, që në përbërje të tyre kanë edhe “shilovikë”, (ish spiunë të kohës së komunizmit). Brenda nëntorit janë shënuar 7 raste (3 të bëra publike), ku shoferë dhe shofere polakë, kanë tentuar të kontrabandojnë refugjatë shqiptarë në Angli. Autoritetet ligjzbatuese angleze besojnë se në të ardhmen për shkak të përkeqësimit të gjendjes ekonomike në Shqipëri do ketë shtim ndoshta të vrullshëm të fluksit të refugjatëve shqiptarë, që synojnë hyrjen ilegalisht në Angli.

Në 19 nëntor 2014 kamionistja polake Sylwia Piterzak pranoi para Gjykatës së Bornmauthit (Bournemouth) se kishte dijeni për një ngarkesë ilegale në kamionin e vet, ndoshta cigare kontrabandë,  por nuk ia merrte mendja se po transportonte 13 klandestinë shqiptarë. Kamioni i saj u interceptua nga policia kufitare angleze në terminalin e trageteve dhe anijeve RO-RO në Portin e New Harbour Road Pole, ku pas kontrollit u zbuluan klandestinët shqiptarë. Polakja duke pretenduar dijeni për kontrabandë cigaresh dhe jo shkelje të Aktit për Emigracionin Klandestin shpresonte, që të shpëtonte me dënim me gjobë jo me burg, por gjykata angleze vendosi mbajtjen e saj në burg. Klandestinët u kthyen në Shqipëri me rrugë ajrore.

Në 20 nëntor 2014 dy shqiptarë të mjerë në lule të jetës u dogjën të gjallë të fshehur në karrocerinë e një kamioni me targa polake dhe me shofer polak, ndërsa shpresonin të realizonin ëndërrën e tyre angleze. Erinda Kacorri 25 vjeçe dhe Rexh Myzyraj janë dy viktimat e kësaj tragjedie shqiptare. Përsërri kemi të bëjmë me kamion dhe shofer polak. Autoritetet franceze po e pyesin intensivisht shoferin polak, i cili pretendon se nuk kishte dijeni për dy klandestinët në karrocerinë e kamionit të vet.

Në 21 nëntor 2014 është policia hollandeze jo ajo franceze, që intercepton 17 klandestinë shqiptarë të fshehur në një kamion me shofer polak. Në portin hollandez De Hoek, qeni antidrogë filloi të lehë, ndërsa po kontrollonte një kamion të ngarkuar me lavatrice, i cili po priste të imbarkohej në anijen RO-RO me destinacion portin anglez të Haruicit (Harwich). Nga kontrolli i ushtruar në kamion nuk u zbulua drogë, por 17 klandestinë të tërë shqiptarë të moshave nga 15-40 vjeç. Për 17 klandestinët po kryhen procedurat ligjore për t’i kthyer në Shqipëri. Shoferi polak u arrestua dhe po merret në pyetje, me qëllim që të zbulohet rrjeti, që organizon të tilla trafiqe.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/