21 nëntor 2014 – Luiz Gjergji, 30 vjeç u dënua nga Gjykata Mbretërore e Lutonit me 13 vjet e 6 muaj burg për drogë, armëmbajtje pa leje, dhe goditje të personit zyrtar për shkak të detyrës. Luizit policia angleze i kapi 2 Kg. kokainë me pastërti 77% si edhe 42 200 stërlina fryt i trafikut të drogës. Në apartamentin e Luizit u gjet një armë zjarri dhe municion i kalbrave të ndryshëm.
Ai ndërsa përpiqej t’i shpëtonte policisë angleze goditi me veturën e tij Audi A8, një polic anglez me motorçikletë duke e plagosur lehtë atë. Luizi, në vitin 2010 u dënua me 6 vjet burg për drogë. Kur doli nga burgu me leje shpërblyese, u dëbua nga Anglia për në Shqipëri. Ai u kthye në mënyrë klandestine në Angli dhe ju fut zanatit të vjetër, atij të narkotrafikantit së bashku me vëllain e vet më të vogël. Adriatik Gjergji, 26 vjeç u dënua me 9 vjet e 4 muaj burg, sepse në banesë ju gjetën 9 500 stërlina dhe 51 050 euro fryt i trafikut të drogës. Ju konfiskua një pasaportë dhe një leje drejtimi makine rumune e falsifikuar si edhe ju provua pjesëmarrja në trafik kokaine në periudhën 1 maj-25 shtator 2014.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





