21 nëntor 2014- Një kamionist polak u mor në pyetje nga policia franceze, sepse kamioni i drejtuar prej tij u përfshi nga flakët në terminalin e trageteve dhe të anijeve tip RO-RO në portin francez të Dynkerkut. Pasi u shuan flakët, që kishin djegur një pjesë të kamionit të ngarkuar me polisterol , u kontrollua kamioni. Gjatë kontrollit u zbuluan pamje horror.
Dy persona të fshehur brenda në kamion, Erinda Kaçorri, 25 vjeç e cila do bashkohej me të fejuarin e saj nga Margegaj e Tropojës, që banonte pa letra në Angli dhe Rexh Myzyraj, djali i dajës i të fejuarit të Erindës, që po tentonin të kalonin ilegalisht nga Franca në Angli, u gjetën të shkrumbosur.
Sipas të përditshmes britanike Daily Mail, dyshohet se dy viktimat janë emigrantë ilegalë shqiptarë. Policia franceze beson se viktimat kanë tentuar të ndezin ndonjë cigare dhe kështu janë djegur të gjallë. Tragjedia ndodhi në pjesën e portit të quajtur Loon Plage, pikërisht kur kamioni, që udhëtonte nga Polonia për në Angli po hynte në zonën doganore për t’iu nënshtruar kontrollit doganor. Prokurori i Dunkerkut Eric Fouard për të identifikuar dy kufomat ka udhëzuar policinë të hetojë si në rrethet e emigrantëve shqiptarë, që përpiqen të shkojnë ilegalisht në Angli, ashtu edhe bandat e strukturuara kriminale shqiptare, që merren me të tilla kalime për në Angli. Këto banda shqiptare u kërkojnë emigrantëve të paguajnë minimumi 1 000 stërlina për t’i hipur në kamionë apo vetura, që shkojnë në Angli.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





