• Do të mbulojë bashkitë Shijak, Sukth, Manzë dhe komunat Maminas, Gjepalaj, Xhafzotaj, Rashbull, Katund i Ri
• Ministrja Eglantinë Gjermeni: “Të gjithë qytetarët, të cilët paguajnë në kohë faturat dhe detyrimet e energjisë elektrike, do të kenë lehtësira në procesin e legalizimit”
DURRËS, 20 nëntor 2014 – Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantinë Gjermeni ka përuruar më 20 nëntor 2014 një zyrë të ALUIZNI-it në qytetin e Shijakut.
Ajo shoqërohej nga deputeti i Qarkut Durrës Gentian Bejko dhe përfaqësues të pushteti vendor
Zyra do t’u shërbejë banoreve të kësaj njësie vendore dhe zonave përreth për përfundimin e procedurave për legalizimin e objekteve të tyre.
Ministrja Gjermeni u shpreh
“Gjithë vëmendja e angazhimi ynë është të realizojmë një nga prioritetet dhe premtimet e Qeverisë Rama: legalizimet në një kohë rekord që brenda katër viteve të para të qeverisjes të bëjmë maksimumin, për të gjithë qytetarët e këtij vendi, ose të përfundojmë pjesën më të madhe të legalizimeve.
Kjo zyrë do të ndihmojë në përshpejtimin e procesit dhe proceduarve të legalizimit për qindra banorë, do të mundësojë trajtimin më të shpejtë të dosjeve të legalizimit, duke i shërbyer dhe qëndruar më pranë qytetarëve.
Legalizimet e kryera nga ALUIZNI për periudhën prill-nëntor 2014 për qarkun e Durrësit janë mbi 2500, një shifër edhe më e madhe se ajo e realizuar nga Qeveria e mëparshme në 8 vjet.
Të gjithë qytetarët, të cilët paguajnë në kohë faturat dhe detyrimet e energjisë elektrike, do të kenë lehtësira në procesin e legalizimit”.
Drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t z. Artan Lame tha:
“Kjo Qeveri e tregoi vullnetin e saj për legalizimet e ndërtesave të banorëve, pjesa që mbetet u takon qytetarëve që të bëjnë punën e tyre. Është shansi i fundit që kanë të gjithë qytetarët shqiptarë për të bërë legalizimin e banesave. Ju ftoj dhe ju bëj thirrje edhe një herë, që deri në fund të këtij viti të vazhdojnë me vetëdeklarimet që kanë mbetur akoma pa i bërë, apo aty ku ka procedura të vazhdojnë me procedura, sepse është një vullnet qeverisës që duhet çuar deri në fund. Ejani sepse vetëm së bashku mund ta përfundojmë këtë proces”.
Ndërsa drejtori i ALUIZNI-t për qarkun e Durrësit Flamur Gjuzi u shpreh se zyra e re do të mbulojë Bbashkintë Shijak, Sukth dhe Manzë dhe pesë komuna (Maminas, Gjepalaj, Xhafzotaj, Rashbull dhe Katund i Ri).
Aktualisht numri i përgjithshëm është rreth 18 mijë dosje, pa llogaritur dosjet dhe vetëdeklarimet e reja.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





