20 nëntor 2014 – Defileja e portreteve të ish-diktatorit Hoxha ka bërë bujë këtë 70- vjetor. Kulti, dukshëm i gjallëruar dhe thirrjet me emrin e atij që shtrembëroi fatin dhe identitetin e një kombi për 50 vjet rresht, nënkupton se ende nuk janë këputur vargonjtë që na mbajnë të lidhur me të kaluarën.
Deputetja e mirënjohur e Partisë Demokratike znj. Mesila Doda ka komentuar mbi këtë fakt në llogarinë e saj në facebook:
“Situata me portretet e Enverit dhe thirrjet në mbështetje të emrit dhe veprës së tij kriminale kanë filluar të dëgjohen më fort e më të sigurta se më parë. Kjo situatë kërkon veprime konkrete:
1. Të dalin jashtë ligjit partitë që promovojnë vlera diktatoriale komuniste apo fashiste, apo të çdo lloji tjetër.
2. Të ndalohen simbolet e së kaluarës apo propaganda që mbështet dhe promovon vlera gjoja pozitive të kësaj periudhë.
3. Të hapen dosjet e komunizmit dhe njerëzit të mësojnë të vërtetën për njerëzit që voton apo ato që jane të emëruar në poste të larta.
4. Parlamenti i Shqipërisë të kostituojë një komision hetimor për të zbardhur krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit komunist dhe së bashku të gjitha krahët e politikës të dënojnë krimet e komunizmit dhe të heqin gjithë ofiqet dhe nderet për ish-diktatorin".
Shpresoj që kjo platformë e dekomunistizimit të mbështetet nga gjithë të rinjtë dhe intelektualët që nuk dëshirojnë që vendi i tyre të mbetet peng i së kaluarës. Ne kemi nevojë për të vërteta, Shqipëria ka nevoje për të zbardhur historinë e saj dhe të reflektojë për gabimet dhe tragjeditë e së kaluarës.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/



_0.jpg)


