Durrës. Internimi i të rinjve durrsakë nga nazistët. Përkujtohet 71-vjetori

DURRËS, 20 nëntor 2014 –  Në vazhdën e veprimtarive me rastin 70-vjetorit të çlirimit, më 20 nëntor 2014, bashkia e Durrësit zhvilloi një ceremoni në përkujtim të të rinjve durrsakë të internuar në kampet naziste më 20 nëntor 1943.

Para lapidarit, në Shkozet, merrnin Prefekti i qarkut z. Rolant Xhelilaj; kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Alfred Mullaraj, shefi i kabineti i kryebashkiakut z. Lavdosh Beqiri; si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor e rajonal, veteranë të luftës etj.

Të pranishmit bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule.

Fjalën e rastit e mbajti zëvendëskryetari i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj i cili tha:

“Në pllakat memorative në varrezat e dëshmorëve të qytetit janë 43 emra të rinjsh që u vranë në kampet e Dakau, Mathauzenit etj. Ata të rinj durrsakë me sakrificën e tyre dhanë një mesazh të rëndësishëm, atë të luftës për liri duke sakrifikuar edhe jetën pasi atdheu është më i shtrenjti. Sakrificat e këtyre të rinjve mbeten një mesazh i fuqishëm për të gjithë brezat që e duan Shqipërinë. Ne i kujtojmë me respekt të thellë ngjarjet e protagonistët që e shkruan atë histori të lavdishme në të shkuarën, duke reflektuar për lirinë dhe vlerat e lirisë në jetën që bëjmë, shoqërinë ku jetojmë, botën që ndërtojmë. Nderimi i veprave të mëdha patriotike e i vetë protagonistëve të lavdishëm të së shkuarës së qytetit tonë duhet të mos mbetet thjesht një nderim ceremonial për të shkuarën, por të jetë njëkohësisht edhe vijimi i atyre veprave, përmes reflektimit në jetën e punën tonë, të vlerave që sot na mblodhën këtu, në emër të lirive e të të drejtave që u mbrojtën me jetë njerëzish. Kjo ceremoni bëhet akoma më solemne në këtë 100 vjetor të pavarësisë ku ne jemi krenarë teksa kujtojmë të gjithë këta durrsakë dhe  shqiptarë, që kanë luftuar e kanë dhënë jetën, për vlera monumentale që sot qëndrojnë në themel të ekzistencës tonë.  Kjo është një ditë historike, një nga momentet kur secili prej nesh qytetarë, të rinj, të moshuar, të gjithë brezat reflektojnë mbi të shkuarën dhe të ardhmen mbi përpjekjet dhe sakrificat njerëzore deri në humbjen e jetës në emër të një kauze të madhe, në emër të lirisë së Atdheut. Mirënjohje dhe respekt për të ata të rinj që bënë rezistencë antifashiste dhe vuajtën në burgjet dhe kampet e përqendrimit nazist”.

Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe veteranë të luftës të cilën sollën kujtimet e tyre nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare dhe nga dita kur të rinjtë patriotë të Durrësit u internuan drejt kampeve të përqendrimit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/