DURRËS, 19 nëntor 2014 – Ditën e sotme, në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Qarkut Durrës, ”Shoqata e Grave me Probleme Sociale” (SHGPS) inauguroi Zyrën Rajonale për Koordinimin e Politikave Sociale dhe Barazisë Gjinore, si një strukturë e re e ngritur në institucionin e Këshillit të Qarkut Durrës.
Në këtë aktivitet ishin prezent deputetja socialiste znj.Klodiana Spahiu, Kryetari i Qarkut Durrës, z. Alfred Mullaraj dhe përfaqësuesi i Bashkisë Durrës z.Lavdosh Beqiraj. Në fjalën e saj, znj. Bajana Çeveli, drejtuesja e shoqatës falenderoi z. Mullaraj për bujarinë dhe respektin ndaj gruas, prefektin zotin Rolant Xhelilaj si një mbështetës i pakushtëzuar, deputeten Spahiu për sinqeritetin dhe disponibilitetin e saj. Gjithashtu solli në vëmendjen e të gjithëve faktin se kryetari aktual i Bashkisë Z. Vangjush Dako dhe ish-zëvendëskryeministri Oketa kanë lobuar për hapjen e kësaj zyre.
Qëllimi i hapjes së zyrës në fjalë ishte ngritja e një strukture rajonale, koordinuese, menaxhuese dhe orientuese për njësitë vendore ekzistuese për barazinë gjinore dhe dhunën në familje, me synim hartimin dhe zbatimin e politikave gjinore sa më efikase. Kjo zyrë është e para në llojin e saj në rang kombëtar, duke treguar dhe një herë angazhimin e institucioneve vendore dhe shoqërisë civile në Qarkun e Durrësit, në zbutjen e pabarazive gjinore dhe dhunën në familje.Gjatë këtij aktiviteti, SHGPS përkujtoi 15 – vjetorin e eksperiencës së punës si dhe prezantoi raportin e monitorimit të strategjisë të zhvillimit të Qarkut për periudhën 2005 – 2015.
Fotot: mirësjellje e fotografit Denis Simaku
/g.b. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





