19 nëntor 2014– Gjykata mbretërore angleze e Kingstonit dënoi me 44 vjet burg, 2 nga 6 anëtarët e një bande narkotrafikantësh shqiptarë. Kapobanda Sami Qerkini, 49 vjeç u dënua me 22 vjet burg, ndërsa Armand Oruçi, 40 vjeç u dënua me 12 vjet burg.
Samiu kishte 20 vjet që merrej me trafikun e drogës, kokainë dhe heroinë. Banda akuzohet se ka futur kontrabandë në Angli droga të rënda të klasit A, me vlerë shitje me çmim shumice prej 40 milion stërlinash.
Disa anëtarë të bandës janë dënuar më parë për të njëjtin trafik droge. Kështu Admir Doda, 35 vjeç u dënua me 15 vjet burg në 17 shtator 2013 për trafik kokaine. Bledar Hysenlika, 30 vjeç u dënua me 10 vjet e 7 muaj në 17 shtator 2013 po për trafik kokaine. Henri Stafasani, 32 vjeç u dënua me 10 vjet e 4 muaj po për kokainë në 17 shtator 2013. Hysen Meta, 37 vjeç u dënua me 6 vjet e 4 muaj për kokainë në 17 shtator 2013. Eliasaf Marqeshi, 33 vjeç u dënua me 5 vjet e 3 muaj burg për trafik kokainë, në 17 shtator 2013.
Policia angleze organizoi Operacionin “Ninjask” për të neutralizuar këtë bandë narkotrafikantësh. Banda në periudhën shtator 2012-shtator 2013 kishte kontrabanduar në Angli droga të forta me peshë 300-400 kg. Rrjetit të Sami Qerkinit në vitin 2010, po ashtu iu kap në një barkë një ngarkesë kokaine me vlerë shitjeje me çmim pakice prej 375 milion paundësh.
Në vitin 2010 u prangosën 20 anëtarë të tjerë të bandës, thuajse të gjithë shqiptarë.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





