19 nëntor 2014 – Është vetëm 25 vjeç J.E. por mbi të rëndojnë dy dënime për drogë. I dyti prej 31 muajsh burg nuk është shlyer ende, sepse “specialisti” i drogës ia mbathi jashtë Italisë. Për karabinierët e Provincës së Peruxhaias e më gjerë u bë sfidë profesionale arrestimi i trafikantit shqiptar. Ai herë fshihej në Itali herë jashtë Italisë, në Shqipëri dhe Mal të Zi.
Për të zhvilluar me sukses trafikun e drogës dhe për të mos rënë në duart e karabinierëve, kishte në përdorim 50 skeda telefonike në emër të personave të ndryshëm kryesisht të huaj shumica e të cilëve nuk jetonin fare në Itali. Një nga bazat e tij më të sigurta ishte banesa e së dashurës shqiptare 26 vjeçare, e cila u shoqërua në dhomat e paraburgimit të karabinierisë. Ai arriti t’u shpëtojë tri operacioneve të ndërmarra nga karabinieria për kapjen e tij. Karabinieria italiane nuk ka bërë publik emrin e plotë të “specialistit”, por i ka ofruar mediave foton e tij.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





