19 nëntor 2014 – Qeveria e Futbollit Botëror, nuk arrin ta mbyllë përfundimisht çështjen e votimit për vendet organizatore të Botërorit 2018 dhe 2022. Pak ditë pasi FIFA vuri pikat mbi “I” duke theksuar se nuk do të ketë anlulim të vendimit, dalin në pah fakte të reja nga vetë institucioni me qendër në Zurich. Qeveria e futbollit u drejtohet organave të drejtësisë pasi e pranon se element të veçantë kanë kryer veprime të paligjshme. FIFA mund t’i drejtohet kështu prokurorisë së Bernës për të denoncuar emrat e personave që nuk i ka zbardhur në komunikatën e publikuar ku i akuzon për veprime të kundraligjshme. Kjo çështje është hetuar për një kohë të gjatë nga Dhoma e Hetimeve në Komitetin Etik të FIFA-s pas akuzave të Federatës Angleze por edhe t ëish drejtuesve të FIFA-s. Pas hetimeve të thelluara nuk është dalë në një përfundim zyrtar, por iu kërkua presidentit Sepp Blatter t’i adresohet drejtësisë civile siç parashikohet në kodin etik të federatës ndërkombëtare.
Sipas FIFA-s, ekzistojnë dyshime të bazuara se në disa raste të izoluara janë bërë transferime ndërkombëtare të hollash dhe këto raste duhet të hetohen nga autoritetet kompetente. Ky zhvillim është një risi në kaosin e tensionit të shkaktuar pas akuzave për korruptim të disa anëtarëve të FIFA-s në votimet për caktimin e dy vendeve organizatore të Botërorit 2018 në Rusi dhe 4 vjet më pas në Katar.





