19 nëntor 2014–  Fitore për Italinë e tij përballë një Shqipërie që nuk pati frikë të përballej si e barabartë me të kaltërit. Antonio Conte e vlerëson suksesin me Shqipërinë duke e cilësuar si një provë pozitive përfaqësimin e skuadrës së tij e duke kujtuar se kuqezinjtë nuk mund të konsiderohen më si ekipi i vogël ndaj të cilit fitorja është e sigurtë: “Mos harrojmë që kishim përballë një kombëtare që ka bërë mirë kohët e fundit. Kjo skuadër luajti mirë në Portugali, fitoi madje kundër tyre, luajti mirë dhe në Francë ndaj unë besoj se nuk ishte e thjeshtë të fitoje ndaj Shqipërisë”.

Gjithsesi trajneri i Italisë kërkoi durim për të parë Italinë e vërtetë:

“Sigurisht që nuk është momenti më i artë për futbollin italian, por mos harrojmë që kjo kombëtare ka fituar 5 nga 6 ndeshje. Unë besoj se duhet të jemi pak të duruar me përfaqësuesen tonë”.

Fitorja me Shqipërinë për Italinë erdhi pas barazimit me Kroacinë, që ndezi jo pak kritika në adresë të kombëtares së kaltër sidomos për lojën e shfaqur prej saj.