19 nëntor 2014– Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni de Biasi vlerëson atmosferën e krijuar në “Luiggi Ferraris” nga tifozët shqiptarë duke u vendosur notën më të lartë. Në intervistën dhënë nga Gjenova për Supersport, tekniku italian u shpreh se ajo që u pa në shkallët e stadiumit ishte një festë e vërtetë futbolli. “Ne shqiptaret ishim ne superioritet. Dhe në këtë aspekt u bë një festë e madhe. Besoj se dhuruam një paraqitje pozitive”. Në vijim, De Biasi u përqendrua te analiza e ndeshjes.
“Jam i kënaqur nga paraqitja. Ua thashë edhe djemve këtë gjë dhe në pjesën e parë mund të bënim diçka më shumë. Gabuam shumë me daljet me top dhe kjo na penalizoi. Paguam ndeshjen e luajtur 4 ditë më parë por ky nuk është shkak për t’u justifikuar. Nuk ishim të saktë në disa momente të veçanta dhe duhet të jemi pak më të vëmendshëm”.
Në analizën që De Biasi bën, djemtë që ka në dispozicion duhet të jenë në 100 % të formës fizike në ndeshje të tilla dhe për të fituar sfida të tilla, duhet që të shfrytëzohen në maksimum rastet dhe cilësitë teknike të lojtarëve. Në fund, ai bëri një koment edhe për aspektet pozitive dhe negative të Shqipërisë në këtë sfidë. “Nuk më pëlqen të humbas edhe pse në një ndeshje miqësore. Në 11 ndeshjet e fundit kemi pësuar vetëm 5 gola, një e dhënë pozitive për një skuadër që kërkon të rritet”. Për mikrofonin e Supersport bëri një koment edhe mesfushori i kombëtares, Migjen Basha, i cili po vuan që prej 7 muajsh për shkak të një dëmtimi. Lojtari i Torinos dhe Kombëtares Kuqezi theksoi se tashmë ka nisur punën pa top dhe pret të rikthehet në stërvitje muajin e ardhshëm.





