DURRËS, 18 nëntor 2014–  Vangjel Tati ishte njëri ndër profesorët e mirënjohur të matematikës në shkallë vendi. E kush nuk e kujton me respekt profesor Gjelën, (siç e thërrisnin të gjithë) për aftësitë, përkushtimin, korrektësinë, talentin, buzëqeshjen, dashamirësinë që përcillte si askush tjetër.

Vangjel (Gjela) Tati lindi më 14 shkurt 1940 në qytetin bregdetar të Durrësit. Në vitet e rinisë, si shumica e të rinjve durrsakë që njihen si sportdashës, ka dalluar si basketbollist, fillimisht me “Lokomotivën” e më pas si kapiten i skuadrës së basketbollit të Universitetit të Tiranës. Ndërkohë, Vangjel Tati vazhdoi studimet në degën e matematikës, pranë këtij universiteti gjatë viteve 1957 – 1961.

Më pas vijoi karrierën e tij, fillimisht si mësues i lëndës së fizikës në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë deri në vitin 1966; vit në të cilin u rikthye në qytetin e lindjes si mësues matematike pranë gjimnazit të përgjithshëm “Gjergj Kastrioti”. Nxënësit e “Petro Nini”-t e kujtojnë me nostalgji, respekt e mirënjohje profesorin e parë që orët e mësimit të fizikës i pasqyronte përmes eksperimenteve. Njëkohësisht, Vangjel Tati njihet si nismëtari i zhvillimit të konkurseve të lëndës së fizikës në Radio “Tirana”.

Që nga viti 1971 e deri në mbyllje të tij, ishte Kryetar i Degës së Inxhinierisë në Filialin e Universitetit që u hap në Durrës. Që nga shtatori i vitit 1979 u caktua mësues, po i lëndës së matematikës në Shkollën e Mesme Industriale, ku vijoi punën deri në fillim të viteve ’90. Në vitin 1989, i erdhi dhe emërimi si nëndrejtor i kësaj shkolle.

Gjatë këtyre viteve pune dhe përgatitjeje serioze, profesor Gjela dhe nxënësit e tij bënë bujë në olimpiadat e matematikës në shkallë vendi. Ndonëse shkolla industriale punonte me një program të reduktuar në këtë lëndë, në krahasim me gjimnazet e përgjithshme, përsëri nxënësit e dalluar si Artan Hoxha (sot ekspert në fushën e ekonomisë, analist dhe politolog), Fatmir Hoxha (inxhinier në Francë), Afrim Tonuzi etj., spikatën dhe u bënë fitues çmimesh në këto olimpiada të nivelit kombëtar. I gjithë ky sukses ishte kryesisht meritë e profesorit të dashur Gjela Tati.

Në vitet e fundit të karrierës së tij në arsim, pikërisht në vitet 1991-1995 ishte drejtor i shkollës së mesme të përgjithshme Naim Frashëri” Durrës. Por prof. Vangjeli (Gjela) u shqua dhe për botimet e tij. Gjithmonë kreativ dhe me kërkesa të larta ndaj vetes, publikoi librin “Zbatimi i matematikës në peshkim”. Ai do të mbahet mend si autori i parë që guxon dhe boton në këtë fushë. Gjithashtu, ai botoi dhe librin “150 enigma matematike dhe logjike (të zgjidhura)”.

Profesor Gjela, prej vitesh jetonte në Liezh (Liege) Belgjikë, së bashku me familjen e tij. Por ai kurrë nuk mund të hiqte dorë nga profesioni-pasion i tij, transmetimi i dijeve në fushën e matematikës. Fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Belgjikë kishin shansin e madh të merrnin prej tij konsultime dhe leksione falas. Madje, si një pasardhës i denjë i profesor Gjelës, me matematikën e rrënjosur në ADN, dhe nipi i tij Jean- Luc ka shkëlqyer në olimpiadat dhe konkurset e matematikës në shkallë qyteti në Liege, ku ka lindur dhe jeton aktualisht.

Fatkeqësisht prej tetë vjetësh, prof. Gjela vuante nga kanceri i shtyllës kurrizore, sëmundje që e ndau nga familja, bashkëshortja e dashur Zhani, vajzat Dorina dhe Asel, nipërit dhe të gjithë të afërmit e tjerë për të cilët kishte dashuri të parrëfyer.

Edhe pse i stërmunduar nga sëmundja dhe kimioterapitë, ai përsëri gjente forcën për të vazhduar përpara me guxim. Me një vullnet të hekurt dhe kurajo absolute, nisi të hartonte të tjerë libra me problema logjike dhe enigma për fëmijë, duke ëndërruar kështu që të ishte sërish mes nxënësve të olimpiadave, në mos fizikisht të paktën përmes botimeve të tij, por për fat të keq, kjo ëndërr u thye në mes.

Tashmë, profesor Vangjel Tati nuk jeton më. Ai u nda përgjithmonë nga familja dhe të afërmit më 8 nëntor 2014. U shua ngadalë, por kujtimi i tij do t’i mbijetojë viteve, sepse emri i mirë që la pas është trashëgimia më e çmuar për gruan, bijat e tij, nipërit, familjarët, kolegët, miqtë, ish-nxënësit dhe bashkëqytetarët.

Dhjetëra dashamirës të kudondodhur në botë kanë shprehur vlerësimin e tyre dhe kanë ngushëlluar për vdekjen e e dhimbshme të profesorit. Do të citoja disa prej tyre:

Ardian Lagji: ”Një ditë e gjatë dhe e vështirë, dhe për së largu ndajmë të njëjtën dhembje zemre që vështirë të lehtësohet. Është kjo dhembje e ky trishtim që na bën mirënjohës e krenarë për çka mundohemi të trashëgojmë, sadopak nga lartësia e madhështia e figurës së tij”.

Esmeralda Frashëri: “Ngushëllime Zhanit dhe vajzave për humbjen e njeriut më të dashur. Marr pjesë në hidhërimin e tyre, për pedagogun e mrekullueshëm, njeriun me edukatë qytetare dhe korrektësi të përsosur. Vangjel Tati nuk do të harrohet nga njerëzit që e kanë njohur”.

Pavlina Mena : “S'gjej fjalë për të treguar dhembjen për humbjen e Gjelës, profesorit të nderuar, babait të dashur, bashkëshortit model, vëllait dhe shokut të mirë ! E donte jetën, luftoi për të, së bashku me gruan e tij të mrekullueshme Zhanin dhe dy vajzat Aselin dhe Dorinën, e më në fund, zemra e tij ndaloi së rrahuri! U prehsh në paqe kushëriri im Vangjel dhe ta kesh dheun e lehtë! Ngushëllime familjes dhe të afërmve”!

Në Liezh (Liege), miqtë dhe të njohurit e tij belgë janë të vetëdijshëm, se larg vendit të vet, por i nderuar dhe i paharruar, prehet profesori shqiptar i matematikës, Vangjel Tati.

/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/