DURRËS, 18 nëntor 2014 –  Rreth orës 20:00 të 18 nëntorit 2014, një orë e gjysmë pas ekzekutimit të pronarit të bar “Center” Leonard Murataj, drejtoria e policia së shtetit të qarkut nuk ishte ende në gjendje të jepte gjeneralitete për viktimën.

Moti i keq dhe me bubullima ka qenë tejet ideal për realizimin e një atentati të bujshëm ndaj një njeriu të njohur në qarqet e biznesit, drejtësisë dhe politikës.

Punimet që po kryhen në sheshin “Liria” të qytetit të Durrësit kanë penguar qarkullimin e automjeteve para barit “Center”, që ndodhet në anën lindore të sheshit, 50 metra larg ndërtesës së bashkisë.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dy të rinj të veshur me rroba të zeza e dekoracione të bardha, kanë shkuar te bar “Center”.

Rreth orës 18:30 të datës 18 nëntor 2014, Leonard Murataj / Nard Murati u ka hapur derën e lokalit të tij dy të rinjve për t’i futur brenda.

Por nuk ka pasur kohë as t’i ftojë, pasi mbi të u zbrazën shumë plumba pistolete dhe Murataj ka rënë në mes derës, duke e bllokuar me kufomën e vet (shih fotot).

Dy të rinjtë janë larguar më këmbë drejt sheshit para pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” duke folur me zë të lartë: “E vramë, e vramë”.

Pastaj kanë ecur nëpër bulevardin kryesor, ku i ka pritur një automjet.

 Fotot: mirësjellje e kolegut Mark Brunga.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/