Durrës. DURRËS, 18 nëntor 2014 – Pas prodhimit të anijes së katërt luftarake, do të bëhet thellimi i gjirit në Bisht-Pallë (Baza e Kepit të Palit), kurse Plepat e Durrësit (komanda e Forcës Detare) do të pajisen me sistem digjital të identifikimit të anijeve luftarake.
Për përmirësimin e strukturës ushtarake, në buxhetin e shtetit të vitit 2015 janë parashikuar më shumë se 288 milionë lekë nga zero që kishte në vitin 2014, deklaroi, më 17 nëntor 2014, në Kuvendin e Shqipërisë Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli.
Znj. Kodheli tha ndër të tjera:
“Edhe pse kjo është një shumë modeste [288 milionë lekë – “Dyrrah”-u], ajo përbën një hap të sigurt për rehabilitimin e infrastrukturës ushtarake, e cila ishte braktisur dhe pa të cilën nuk mund të realizohen funksionet dhe misioni i Forcave të Armatosura.
Në këtë drejtim ne kemi parë me përparësi disa objekte që kanë ndikime të drejtpërdrejta në misionin dhe operacionalitetin e Forcave të Armatosura.
Gjatë vitit 2014 përfunduam prodhimin e anijes së katërt luftarake.
Thellimi i gjirit në Bazën e Kepit të Palit, bazë kjo e lënë krejt në mëshirën e fatit dhe vendosja e sistemit digjital të identifikimit të anijeve luftarake, me një rëndësi të veçantë për plotësimin e misionit të Forcës Detare, është parashikuar në buxhetin e vitit 2015 të financohet me 23 milion lekë”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





