Nga viti 2011 në Rezervat Materiale të Shtetit presin të shiten pesë “Volkswagen” (katër “Bora”, një “Passat”), tri “Kia Sorento”, dy “Ford Focus”, një “Audi 80” dhe një “Hyundai Terracan”

Bingo! / Shteti shqiptar synon të shesë “Audi-n 80” me benzinë, prodhim të vitit… 1990 dhe katër “Volkswagen Bora”, prodhim i vitit 1999, për 75 mijë lekë (mbi 500 euro)

DURRËS, 18 nëntor 2014 –  12 makinat e lëna trashëgim nga znj. Topalli nuk i kap kush me dorë, kështu Kuvendi i Shqipërisë u ka lënë në derë Rezervave të Shtetit autovetura të përdorura, me vite prodhimi nga 1990, 1999, 2000, 2002 dhe deri 2003, 2004, të cilat do të shiten në Shkozet me ankand të hapur.

“Dyrrah”-u ka mësuar se në drejtorinë rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit në Shkozet, më 10 dhjetor 2014, ora 10:00, do të zhvillohet ankandi i hapur publik për shitjen e 12 automjeteve të mbetura stok qysh nga 3 marsi i vitit 2011, kur ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Jozefinë Topalli i grumbulloi në qytetin bregdetar.

Janë pesë “Volkswagen” (katër “Bora” e një “Passat”), tri “Kia Sorento”, dy “Ford Focus”, një “Audi 80” dhe një “Hyundai Terracan”.

Në tabelën e paraqitur (nga nëpunësit, të cilët, nga padituria dhe shkujdesja, shkruajnë gabim markat e makinave dhe shprehen për procedura “të mëparshme të deritanishme të ankandit”), bie në sy se shteti shqiptar synon të shesë një “Audi 80” me benzinë, prodhim të vitit… 1990 për 75 mijë lekë (mbi 500 euro)! 

Po 75 mijë lekë është çmimi fillestar dhe për 4  “Volkswagen Bora”, prodhim i vitit 1999.

Çmimin fillestar më të lartë, 379 mijë lekë (2 700 euro), e kanë secila nga tri “Kia Sorento”, prodhim i vitit 2002. 

Kurse një “Hyundai Terracan”, prodhim i vitit 2003, ka një çmim fillestar prej 235 mijë lekë.

Gjithë vlera totale fillestare e ankandit për 12 autoveturat është 2 223 000 lekë (16 mijë euro) pa TVSH.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/