18 nëntor 2014 – Presidenti i FSHF, Armand Duka ishte i ftuar në studion e Sky Sport Italia, ku pati një bashkëbisedim prej rreth 15 minutash gjatë të cilit preku tema të rëndësishme të futbollit shqiptar. Pas një prezantimi të ngrohtë fillimisht numri një i futbollit shqiptar bëri një vlerësim për takimin e rradhës me Italinë, një miqësore për bamirësi, por nga e cila pritet një tjetër paraqitje e mirë për Shqipërinë. “Është e rëndësishme që luajmë për bamirësi por lojtarët tanë pregatiten për një ndeshje të mire. Italia është një skuadër e madhe, madje edhe nëse nuk luajnë ata që ishin ndaj Kroacisë. Nuk e di nëse është më mirë për ne pasi me 25-30 futbollistë që ka ftuar Konte janë të gjithë njëlloj të zotë. Ndeshja është e vështirë për ne, për Italinë ndoshta jo”! Gjithsesi ndërsa gazetarët italianë i kujtojnë rezultatet e mira e barazimin me Francën të cilin Duka e vlerësoi pozitivisht përmendet trajneri De Biasi, duke i dhënë mundësinë kreut të FSHF të bëjë një vlerësim për punën e teknikut italian në krye të kuqezinjve. “Prej thuajse 3 vitesh kemi De Biasin, një trajner i mirë që e ka ndryshuar shumë kombëtaren tonë. Është një person serioz dhe ne jemi shumë shumë të kënaqur me punën e tij”. E ndërsa pyetet se përse u zgjodh italian, përgjigja e Dukës vjen kuptimplotë me një batutë. “Nuk zgjodhëm një trajner italian. Zgjodhëm një trajner të mire”! Numri një i futbollit shqiptar la të kuptohet se FSHF është e predispozuar për të vijuar bashkëpunimin me trajnerin e kombëtares, duke u përgjigjur me nuancë humori ndërsa u pyet mbi mundësinë e rinovimit të kontratës. “Deri tani jam shumë i kënaqur. Të gjithë jemi të kënaqur. Nëse bëhet një sondazh në Shqipëri mendoj se ai fiton 90%, kështu që është e pamundur ta largojmë tani. Shpresojmë që të jemi bashkë, të vazhdojmë kështu, pasi është mirë për ne, është mirë për Shqipërinë, është mirë për të gjithë”. Ndërsa u sollën në vemendje ngjarjet e 14 tetorit në Beograd gjatë Serbi –Shqipëri , Duka rrëfeu minutat e cmendurisë në stadiumin serb duke këmbëngulur se në ato kushte kur i gjithë delegacioni shqiptar druhej për jetën ishte e pamundur të mendohej për futbollin. Për sa i përket vendimit të pritshëm në Apelin e UEFA-s, ai theksoi se më e rëndësishme se 3 pikët për Shqipërinë, është e ardhmja e lojës me një vendim që të ndihmojë në misionin për zhvillimin e futbollit si një lojë që luhet në kushte të barabarta. Në këtë këndvështrim Duka foli dhe për takimin e kthimit me Serbinë. “Për ndeshjen e kthimit kemi një vit kohë. Në fakt jemi në një situatë paksa jo normale për shkak të asaj që ndodhi në Beograd, për ndjesitë që kanë tifozët tanë, por kemi një vit kohë. Ne do të bëjmë gjithshka për të organizuar një ndeshje si duhet në Shqipëri e të tregojmë se ne duam futbollin e vërtetë, jo si ai në Serbi”. Një tjetër koment i rëndësishëm i Dukës ishte ai kur u pyet mbi objektivat e Shqipërisë. “Objektivi ynë është që të luajmë në Francë, në finalet e turneut, por të shohim. Kemi luajtur tre ndeshje, dy e gjysmë në fakt. Ne kurrë nuk lemi luajtur në një kampionat Europian apo Botëror, kështu që nëse shkojmë do të ishte historike. Prej vitesh punojmë për ta arritur këtë. Shpresoj që të shkojmë për gjithë popullin Shqiptar. Unë jam i sigurtë se nëse shkojmë në Francë do jemi skuadra që do të kemi më shumë tifozë atje”. Duka bëri të ditur se pritet që në stadiumin Luigi Ferraris të Genovas pritet të jenë rreth 3-4 mijë tifozë shqiptarë ndërkohë që bashkëbisedimi i tiuj në transmetimin e Sky Sport Italia u mbyll me mesazhin e ndihmës për misionin që luhet Itali-Shqipëri, të ardhurat e së cilës do të shkojnë për rikonstruksionin e impianteve sportive që janë shkatërruar në përmbytjet para disa kohëve në Genova.