16 nëntor 2014 –  Zbulohet misteri i “darkës sekrete” mes kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç dhe atij shqiptar Edi Rama gjatë vizitës së tij në Serbi. Sipas gazetës me prirje nacionaliste “Kurir”, mësohet se Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, gjatë darkës, ka marrë mikrofonin dhe i ka kënduar delegacionit shqiptar këngën e famshme napolitane “O sole mio” (O dielli im). Sipas të përditshmes serbe, Daçiç ka dashur të ç’tensionojë situatën mes dy delegacioneve dhe të zbusë atmosferën e krijuar gjatë konferencës për shtyp të dy kryeministrave, ku Vuçiç nuk e priste që Rama të fliste për pavarësinë e Kosovës, duke “thyer” kështu protokollin.

Gjithnjë sipas “Kurir”, ka qenë Aleksandër Vuçiç ai që e ka ftuar delegacionin shqiptar në një darkë jo formale, ku ka mbizotëruar një klimë aspak e mirë dhe ku tensioni ndihej dhe dukej qartë në fytyrat e dy kryeministrave. Pikërisht, për të kaluar gjithçka pas krahëve mbi atë që ndodhi gjatë konferencës për shtyp, Daçiç ka marrë mikrofonin dhe ka nisur të këndojë tekstin e famshëm të këngës italiane.