Një aeroplan i vogël u përplas të hënën pasdite me një ndërtesë në qytetin Belo Horizonte në Brazil. Për pasojë kanë humbur jetën dy persona. Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, në aeroplan ndodheshin pesë persona.

Incidenti ndodhi kur avioni goditi një ndërtesë trekatëshe dhe më pas ra në parkingun e kompleksit. Videoja e transmetuar nga mediat braziliane tregon momentin kur Embraer EMB-721C humbet lartësinë dhe përplaset me një pallat në lagjen Silveira.

Sipas një raporti të G1, piloti thuhet se e informoi kullën e kontrollit në aeroportin e Pampulha-s, nga ku ishte ngritur avioni, se po përjetonte një defekt mekanik. 

Një banor vendas raportoi se avioni po fluturonte në një lartësi të ulët dhe po bënte një zhurmë të lartë përpara se të rrëzohej. Sipas tij, duket se avioni u përpoq të shmangte një ndërtesë shkolle, por përfundoi duke u rrëzuar në një pallat.