DURRËS, 15 nëntor 2014 – Sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në 3-mujorin e tretë 2014 në krahasim me 3-mujorin paraardhës depozitat në rrjetin bankar të qytetit bregdetar janë rritur me 2 miliardë e 303 milionë lekë.

Kështu, nëse në muajt prill-maj-qershor 2014 totali i depozitave në rrethin e Durrësit arrinin në 83 miliardë dhe 945 milionë lekë, në pikun e sezonit turistik, në 3-mujorin III (korrik-gusht-shtator 2014) ato arritën 86 miliardë dhe 248 milionë lekë, me një rritje prej 2 miliardë e 303 milionë lekë. Duke parë në strukturë, del se në monedhën vendase rritja ishte tejet simbolike, vetëm 21 milionë lekë, kurse në valutë arrinte në 2 miliardë dhe 282 milionë lekë. Këtu ka ndikuar, me siguri, rritja e fluksit turistik dhe remitancat e emigrantëve në qytetin e Durrësit.

Në nivel republike rritja në 3-mujorin III 2014 në krahasim me 3-mujorin II 2014, arrinte në 14 miliardë dhe 30 milionë lekë. Durrësi renditet i dyti në Republikë për sasinë e depozitave, natyrisht, pas Tiranës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/