Kryeministria nxjerr para ekranit të vogël zëvendësministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Alban Zusi

DURRËS, 15 nëntor 2014 –  Tiranës zyrtare i plas në dorë dyshimi i Moskës se Shqipëria ri-eksporton kontrabandë fruta nga BE-ja në Rusi, ndaj, për të hedhur poshtë pretendimet, është nxjerrë në ekranin e vogël një zyrtar i lartë.

Pas lajmit të “Dyrrah”-ut, që u kopjua nga e përditshmja kosovare “Koha ditore”, pa cituar burimin, ministria shqiptare e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka hedhur poshtë, më 15 nëntor 2014, në TV SCAN, pretendimet e zyrtarëve rusë se Shqipëria bën kontrabandë frutash evropiane nën embargo nga shteti euro-aziatik.

Lidhur me njoftimin e “Dyrrah”-ut se “Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë (MBZHRAU) ka sfiduar në tre raste Rusinë mbi informacionin e kërkuar për kulturat bujqësore dhe sipërfaqet e mbjella, pas dyshimeve se vendi ballkanik shërben si ri-eksportues frutash të BE-së, që janë nën embargo nga Kremlini dhe se certifikatat fitosanitare, të lëshuara nga organet përgjegjëse në pikat kufitare, kanë rezultuar të falsifikuara”, zëvendësministri MBZHRAU-t Alban Zusi deklaroi: 

"Është e pamundur që të arrihet kjo gjë, pasi Rusia ka rregulla rigoroze për produktet e importuara dhe se ato janë të gjitha të shoqëruara me certifikatën e origjinës".

Argumenti i katërfishimit të eksporteve nuk është i fortë, pasi pritej një rritje më e madhe në kohën kur është vendosur embargoja ndaj produkteve evropiane. 

 Nuk ka asnjë kërkesë të depozituar në Ministrinë e Bujqësisë për informacion mbi sasinë e prodhimeve”. 

Ndërkohë “Dyrrah”-u ka mësuar nga burime të sigurta në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë se pretendimet ruse janë serioze dhe se në rrugë diplomatike kanë mbërritur tri kërkesat e “Rosselkhoznadzor”-it (shërbimi federal rus për mbikëqyrjen veterinare dhe fito-sanitare), për t’i paraqitur informacion mbi kulturat bujqësore në Shqipëri dhe për sipërfaqet që zënë, por që janë shpërfillur nga Tirana zyrtare.

Madje, më 13 nëntor 2014, zyrtarët e “AKU”-së ruse kanë zhvilluar një takim në selinë e ambasadës shqiptare në Moskë ku janë paraqitur shqetësimet (shih faksimilen e faqes së “Rosselkhoznadzor”-it).

Ndoshta, z. Alban Zusi nuk është informuar për këtë problem dhe gjithçka është harruar në arkivat e MPJ-së, ose dikush ka dashur ta mbajë sekret.

Dalja e MBZHRAU-t është diktuar, me sa duket, nga stafi i Kryeministrisë, që mbikëqyr njoftimet e dokumentuara të medieve, shto këtu faktin se problemi “ka marrë erë të keqe”, pasi kanë folur dhe “Euronews”-i dhe disa medie ballkanike.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/