DURRËS, 8 nëntor 2014  –  Pas konferencës së organizuar me rastin e prezantimit të raportit të inspektimit të burimeve njerëzore në institucionet e arsimit parauniversitar në vend “Mësues për Shqipërinë, Kapitulli për reformën në arsim”, ka nisur menjëherë vala e shkarkimeve në institucionet arsimore në të gjithë vendin. Konkretisht, qarku i Dibrës, Kukësit dhe Shkodrës, kanë shënuar rekord sa i përket punësimit të mësuesve pa arsim dhe jashtë profilit. Kanë qënë pikërisht këto tre qarqe ato të cilat, janë prekur të parat nga reforma në arsim. Vala e shkarkimeve është përhapur më tej në të gjithë vendin, duke prekur edhe qarkun e Fierit, Vlorës, Lezhës, etj. Shkarkimi i mësuesve të emëruar para dhe pas 23 qershorit në bazë tarafi, ryshfeti dhe klientelizmi, nga krerët e Drejtorive Arsimore Rajonale është paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku ai ka kritikuar ashpër ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, për degradimin e sistemit arsimor parauniversitar. Pas urdhrit të kryeministrit për të identifikuar dhe më pas ka shkarkuar të gjithë mësuesit të cilët janë punësuar jashtë arsimit përkatës dhe jashtë profilit, ministrja Nikolla, ngriti një grup pune për të kryer procedurat përkatëse. Pas raportit të hartuar, grupi i punës ka evidentuar se rrethet janë ato të cilat kanë kryer më shumë punësime të mësuesve jashtë arsimit dhe profilit.   
  Kreu i qeverisë ka premtuar se operacioni për të pastruar sistemin nga mësuesit pa arsimin përkatës apo ata që japin mësim jashtë profilit do të jetë radikal dhe pa asnjë kompromis, pasi siç u shpreh, në lojë është fati i një gjenerate dhe fati i Shqipërisë në 20-30 vjet. “Asnjë mësues pa arsim përkatës, asnjë mësues jashtë profilit të mos mundet t’i marrë më shtetit përmes taksave të shqiptarëve asnjë rrogë duke filluar nga janari i ardhshëm”, është shprehur kryeministri. Duke e cilësuar profesionin e mësuesit jo thjesht si një vend pune, por si një mision, Rama ka premtuar gjithashtu, se pas fazës së parë, asaj të pastrimit të sistemit nga mësues pa arsimin përkatës apo jashtë profilit, do të nisë faza e dytë e reformës, ajo e licencimit të mësuesve. 2000 mësues jashtë profilit   Në konferencën “Mësues për Shqipërinë. Kapitulli për reformën në arsim”, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla publikoi një raport me shifra tronditëse sa i takon mësuesve që japin dije dhe punojnë jashtë profilit të tyre. Nga të dhënat zyrtare që raportoi Ministrja Nikolla, të mbledhura nga 13 drejtoritë rajonale në vend, vëreheshin rreth 2.165 mësues jashtë profilit dhe 1984 mësues pa arsimin përkatës. “Ka mbi 2.000 mësues që punojnë jashtë profilit të tyre. Mësues që kanë matematikë, japin edukim fizik. Një ish-ushtarak jep anglisht, e shumë e shumë raste të tjera”, ka thënë ajo. 
/Sot, 8 nëntor 2014/