· Tërthorazi kryeministri distancohet nga drejtori i agjencisë telegrafike qeveritare, përfaqësues i LSI-së, që deklaroi se “vendimi i sotëm [24 tetor 2014] i Evropës, [është] sa i papritur aq edhe paradoksal, sa i turpshëm, aq edhe tendencioz”
DURRËS, 24 tetor 2014 – “Askush nuk duhet ta marrë vendimin e UEFA-s si një komplot të Europës kundër Shqipërisë” dhe se “është thjesht budallallëk t’i mendosh këto”, ky është qëndrimi zyrtar i Tiranës zyrtare dhe tërthorazi kryeministri Rama i kthen “reston” drejtorit të agjencisë telegrafike qeveritare ATSH, Gëzim Podgorica, përfaqësues i LSI-së, që deklaroi në orën 11:25 të datës 24 tetor 2014 se “vendimi i sotëm [24 tetor 2014] i Evropës, [është] sa i papritur aq edhe paradoksal, sa i turpshëm, aq edhe tendencioz”.
Në një deklaratë shtypi Kryeministri Edi Rama u shpreh se “UEFA mori një vendim që nuk bën drejtësi për çka ndodhi në stadiumin e Beogradit”, njëkohësisht ai u distancua nga deklarimi i një vartësi në medien qeveritare për komplot të Evropës kundër Shqipërisë.
Pasi arsyeton mbi kundërthëniet e vendimit të “qeverisë” së futbollit evropan, shefi i Ekzekutivit thotë:
“Askush nuk duhet ta marrë vendimin e UEFA-s si një komplot të Europës kundër Shqipërisë; si një shprehje të mungesës së respektit të Europës për Shqipërinë; si një rezultat të faktit që qeveria e Shqipërisë nuk i kërciti dhëmbët UEFA-s e me radhë”.
Madje, z. Rama argumenton:
“UEFA ka dhënë padyshim një vendim politik, por kjo s’ka lidhje me politikën e jashtme të Shqipërisë, as me politikën e jashtme të Bashkimit Europian; është thjesht budallallëk t’i mendosh këto. Kjo ka lidhje me politikën e brendshme të UEFA-s, e cila është një “shtet më vete” siç i thonë fjalës. Dhe për kë di pak jo shumë nga mënyra se si funksionon ky “shtet”, është e qartë se UEFA as që i dëgjon ankimet apo pëlqimet e qeverive.
Politika e brendshme e UEFA-s nuk ridimensionohet me sulme verbale të qeverive dhe vendimet që burojnë nga kjo politikë, nuk ndikohen as ndryshohen duke i hapur luftë politike UEFA-s. Kush i jep këto receta primitivizmi ballkanik përveçse i inatosur, është edhe krejt i paditur”.
Për kreun e qeverisë:
“Ka vetëm një rrugë për Shqipërinë, lidhur vendimin e sotëm: Rruga që po ndjek Federata Shqiptare e Futbollit. Vazhdimi i betejës për të marrë drejtësi në shkallët e tjera të gjykimit”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





