·        Drejtori i agjencisë zyrtare të lajmeve Gëzim Podgorica komenton në sajtin e ATSH-së vendimin për ndeshjen Serbi-Shqipëri: “Ndërtesa e kristaltë e UEFA-s thyhet dhe bëhet copë-copë”

DURRËS, 24 tetor 2014 –  Është fakt i bujshëm që drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare Gëzim Podgorica, me sa duket, në inat e sipër, ngatërroi UEFA-n me BE-në: “Vendimi i sotëm [24 tetor 2014] i Evropës, sa i papritur aq edhe paradoksal, sa i turpshëm, aq edhe tendencioz”.

Z. Podgorica, përfaqësues i LSI-së, ndonëse drejton një institucion qeveritar informimi, bën një koment të ashpër, mbushur me gabime shtypi, me gjasa, me pasoja politike për Tiranën zyrtare dhe nuk përjashtohet që të ndëshkohet dhe autori i shkrimit, që tregohet i pakujdesshëm në formulimin e zemërimit të tij për një ndeshje futbolli.

Në rolin e një tifozi, që mund të ketë të drejtë, drejtorit të ATSH-së nuk i lejohet të nyjëtojë deri dhe akuza “mbi zyrtarët e korruptuar deri në palcë të UEFA-s”.

Kjo ndodh në prag të vizitës së eprorit të vet, z. Edi Rama në Beograd dhe komenti mund të konsiderohet si e orkestruar nga vetë Kryeministri shqiptar.

Kurse vetë z. Rama ka bërë këtë deklaratë lakonike në rrjetin social Face Book:

“FSHF bën shumë mirë të hapë betejë gjyqësore deri në fund! Sot nuk u bë drejtësi për atë që ndodhi në stadiumin e Beogradit ‪#ForcaShqipëria”.

Ja teksti i plotë i komentit të kreut të ATSH-së:

“Ndërtesa e kristaltë e UEFA-s thyhet dhe bëhet copë-copë”

Posted on 11:25 – 24 Tetor 2014 by Ylii Pata

TIRANË, 24 Tetor/ATSH/ Vendimi i sotëm i Europës, sa i papritur aq edhe paradoksal, sa i turpshëm, aq edhe tendencioz.

Gjithsesi Shqipëria përsëri ka fituar. Ka fituar mbi zyrtarët e korruptuar deri në palcë të UEFA-s, ka fituar pasi padrejtësinë e verifikuar publikisht në sytë e të gjithëve, nuk  mund ta fshehin  rreshtat e zinj të një vendimi.

Ka fituar Shqipëria pasi duke u viktimizuar padrejtësisht, opinioni publik është i tëri në anën e saj, pavarësisht korridoreve ku prodhohen precedentët që e njollosin futbollin dhe i heqin atij motivin e madh mbi të cilin ai zhvillohet. Ne fituam jo vetëm në 41 minuta lojë e në gjithçka më pas, por fituam edhe  me sfidën që aq mirë ditën të bëjnë djemtë e kombëtares shqiptare në një stadium të mbushur  i tëri me urrejtje. Këtë nuk mund ta gjykojë e ta dënojë UEFA, pasi ajo nuk e ka në dorë. Këtë e di dhe e ka gjykuar një opinion i tërë i cili është shprehur në anën e shqiptarëve.

“No racism” është një logo hyrëse e ndeshjeve të futbollit që u luajtën për tre ditë me radhë në kompeticionet  më të rëndësishme të Evropës e iniciuar nga UEFA. Por pas vendimit të sotëm kjo tregon se sa false është kjo logo, se sa të pavërtetë janë zyrtarët e saj, që përdorin jo dy standarde, por shumë më tepër se kaq. Ndërtesa e kristaltë e qeverisë së futbollit evropian, e konstestuar në shumë drejtime prej kohësh, sot ra për t’u thyer e bërë copë –copë. Besimi te drejtësia që jep ajo ka humbur prej kohësh, por me sa duket kishte nevojë për të rënë edhe tulla e fundit që e mbante.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/