·        Në vitin 2013 u diagnostikua 234 raste të reja me kancer ose 25 për qind rritje në krahasim me 2012

·        Rreth 70 për qind e pacientëve kanë nevojë për kimioterapi

·        Në total gjatë 20 ditëve të tetorit 2014 u tejkalua numri i mamografive prej 285 ekzaminimesh ose mbi 75 për qind e atyre të kryera gjatë 9-mujorit 2014

DURRËS, 23 tetor 2014 – Sikurse njoftoi dhe “Dyrrah”-u, më 22 tetor 2014, u hap klinika e shërbimit të kimioterapisë në spitalin rajonal të Durrësit. Pas QSUT-së, ky spital është i pari që ka një klinikë të tillë ku do të ofrohet edhe shërbimi i kujdesit paliativ. Ky lajm u bë i nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj në takimin e organizuar për këtë qëllim në Durrës.

Të pranishëm në këtë takim ishin kryetari i bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako; deputetja e PS-së për Durrësin, dr. Klodianë Spahiu; shefi i shërbimit onkologjik, dr. Agim Sallaku; drejtori i DRSH Durrës, dr. Kristo Huta, si dhe mjekë e punonjës të sistemit të kujdesit shëndetësor në Durrës.

Me këtë rast, nisur nga rëndësia e kësaj ngjarjeje në jetën shoqërore të Durrësit, “Dyrrah”-u boton të plota fjalimet e mbajtura nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe drejtorja e spitalit rajonal Durrës, znj. Ardiolë Frashëri.

ILIR BEQAJ

Duke filluar nga Durrësi, kemi arritur të ofrojmë kështu një vlerë të shtuar në gjithë zinxhirin e shërbimit spitalor që ofrohet në Shqipëri. Tetori është muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit, dita e djeshme është edhe Dita Kombëtare që është përzgjedhur në Shqipëri.

Sigurisht që, qoftë sëmundjet tumorale, qoftë sëmundjet kardiovaskulare, janë dy shkaktarët kryesorë të sëmundshmërisë së lartë, të invaliditetit të hershëm, të shkurtimit të viteve të jetës së shëndetshme dhe madje edhe të fataliteteve të parakohshme.

Për këtë qëllim, këto dy grup sëmundje, në Programin e Qeverisë janë të identifikuara si grup sëmundjet ku ne do të bëjmë më shumë. Besoj se, tashmë që jemi 13 muaj në detyrë në Qeveri, mund të tregojmë që ia kemi dalë të fillojmë të bëjmë gjëra të prekshme. Sidomos, lidhur me sëmundjet tumorale, unë besoj se në 13 muaj ne kemi qenë në gjendje të mbulojmë në mënyrë të plotë, 180 gradë nga parandalimi deri te kujdesi paliativ.

Sigurisht, në mënyrë të veçantë, falënderimi i shkon Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, sigurisht pjesës së mazhorancës, se opozita ka ikur në punë të vet, për gjithë kontributin dhe ndihmën që kanë dhënë. Pra, praktikisht unë mund të them me mburrje që, si Ministri Shëndetësie, jemi ministria që kemi miratuar më shumë ligje të reja.

Sigurisht, këtu kemi një vlerë të shtuar se Dr. Kristaqi ka angazhuar një pjesë të madhe të karrierës së tij për këtë kujdes, që më së fundmi tani ka një bazë ligjore. Mbështetjen që ka vënë edhe profesor Agimi, i cili si puna ime ka një krushqi në Durrës, ka një lidhje më shumë dhe vlerë të shtuar.

Megjithatë, unë besoj se falënderimi kryesor ju shkon juve mjekëve, infermierëve, profesionistëve të shëndetësisë, sepse ju jeni ata që përballeni përditë me të sëmurët, me këtë sëmundje që për fat të keq, ne vazhdojmë ta zbulojmë në stad shumë të avancuar.

Eksperiencat, jo vetëm të vendeve shumë të zhvilluara, por edhe të vendeve të rajonit, ky lloj kanceri është në gjendje të përballohet edhe duke shëruar, apo duke i dhënë grave, motrave dhe vajzave, vite shumë të tëra jetë normale.

Besoj se shërbimi i kimioterapisë, që do të fillojmë të aplikojmë në Spitalin e Durrësit, është në radhë të parë një ndihmë për vetë qytetarët e qytetit të Durrësit, por gradualisht do ta zgjerojmë gjeografinë.

Së dyti, do të lehtësojë në mënyrë indirekte edhe mbingarkesën që ka sot shërbimi onkologjik. Besoj se shërbimi universitar në Spitalin “Nënë Tereza”, do të na mbështesë të paktën gjatë vitit të ardhshëm sa të fillojmë të transferojmë gradualisht, fillimisht pacientët, pastaj protokollet dhe mjekimet bazë. Gradualisht, dora-dorës, në bazë të rezultateve që do të arrijmë, ta shtrijmë edhe më gjerë.

Nuk dua të zgjatem më shumë, faleminderit për gjithë punën dhe përpjekjet që bëni. Ndjesë që ju morëm rreth 35 minuta nga puna që duhet të vazhdoni të bëni me pacientët.

Do t’i kërkoja drejtoreshës që të na përcjellë dhe të na tregojë mjediset e reja.

Faleminderit!

ARDIOLË FRASHËRI

Spitali Rajonal Durrës është ndër spitalet më të mëdhenj në vend. Me një numër pacientësh të shtruar prej 16 000 në vit dhe me trend rritës 5% gjatë 9-mujorit 2014. Po gjatë kësaj periudhe janë kryer  rreth 3 000 ndërhyrje kirurgjikale.

Brenda një periudhe të shkurtër mblidhemi sërish bashkë për një tjetër  investim të rëndësishëm në spitalin tonë.

Në qershor u vu në funksionim laboratori anatomo-patologjik dhe u rritën kapacitetet diagnostikuese  me aparatura të reja dhe ekzaminime shtesë në laboratorin klinik-biokimik.

Aktualisht jemi muajin e ndërgjegjësimit për luftën ndaj kancerit të gjirit. Kam kënaqësinë e veçantë sot që pikërisht në këtë muaj ne inaugurojmë klinikën e kimioterapisë.

Spitali i Durrësit është i pari i përzgjedhur nga spitalet rajonale në vend për hapjen e kësaj klinike edhe si një domosdoshmëri për  shkak të numrit të lartë të të sëmurëve tumoralë në rajon. Duke iu referuar statistikave vetëm në vitin 2013 janë diagnostikuar 234 raste të reja me kancer ose 25 për qind rritje krahasimisht me 2012. Rreth 70 për qind e pacientëve kanë nevojë për kimioterapi.

Mjekët onkologë të spitalit tonë pohojnë se çdo muaj referojnë drejt QSUT rreth 15 persona për të kryer kimioterapi. Tanimë ky shërbim do të ofrohet në Spitalin e Durrësit duke shmangur kështu ecejaket dhe shpenzimet e pacientëve dhe familjarëve që i shoqërojnë për në Tirane. Klinika ka një staf mjekësor prej dy mjekësh onkologë, 4 infermierë, një sociologe dhe farmaciste. Në muajt e parë ofrimi i ketij shërbimi do të kryhet me asistencën e mjekëve onkologë nga Qendra Spitalore Nënë Tereza.

Ndërkohë një muaj më parë ka nisur funksionimin edhe Reparti i Kujdesit Paliativ, i cili vjen si një hallkë e rëndësishme e sistemit, pasi trajton të sëmurët në stadin e fundit të jetës. Në këto ditë të para të punës, stafi mjekësor ka trajtuar të paktën 3 pacientë në  ditë. Të sëmurit i ofrohet ndihmë multidisiplinore. Ai merr terapinë ditore dhe gjithashtu së bashku me familjarët dhe mbështetjen emocionale nga psikologja.

Në fund, por jo nga rëndësia do doja të vija theksin në domosdoshmërinë e parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve tumorale.

Gjatë këtij muaji fushata e iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë për kryerjen e mamografisë ka rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin e grave durrsake për këtë ekzaminim. Numri i mamografive të kryera në një ditë ka arritur edhe 35. Ndërsa në total është tejkaluar numri prej 285 ekzaminimesh d.m.th. mbi 75 për qind e mamografive të kryera gjatë 9-mujorit.

Ditët e fundit vihet re një rritje e fluksit jo vetëm nga arsimtaret, por dhe nga të tjera gra që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për mamografi falas. Deri tani të gjitha ekzaminimet kanë rezultuar negative. Stafi po punon me kapacitet të plotë paradite dhe pasdite deri në orën 20.00 përfshirë ditët e Shtuna.

Duke nisur nga ky muaj deri në fund të vitit është bërë i mundur realizimi i analizave hormonale për kancerin e gjirit dhe vezores  CA 125 dhe CA 15-3  edhe për pacientët ambulatore. 

Falënderoj  Ministrinë e Shëndetësisë për mbështetjen e vazhdueshme që i jep Spitalit Rajonal të Durrësit si dhe mjekët specialistë onkologë të Spitalit Onkologjik në QSUT për asistencën teknike.

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/