DURRËS, 23 tetor 2014 – Bashkia e Durrësit dhe shoqata “Durrësi” organizojnë të premten, më 24 tetor 2014, disa veprimtari në kuadër të “Festës së Ullirit 2014”, ku do të mbillet sipas traditës një pemë ulliri, në lulishten pranë Bashkisë (në foto pamje arkivi: mbjellja e ullirit në vitin 2013 nga kryebashkiaku Vangjush Dako).
Me këtë rastë do të hapet një fotoekspozitë e firmës “Buna” në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”, që do të pasohet me një koncert festiv në sallën e shfaqjeve me pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe humoristëve nga vendi, si dhe të këngëtarit italian Mario Maglione.
Gjatë ceremonisë kryetari i bashkisë z. Vnagjush Dako do të nderojë me diplomën “Nderi i qytetit” z. Artur Bujari, president i firmës “Buna” shpk. me motivacionin:
“Për kontributin e rëndësishëm që jep në zhvillimin ekonomik të qytetit të Durrësit, në mbështetjen e aktiviteteve, në promovimin e historisë dhe kulturës qytetare durrsake, për vlerat e spikatura intelektuale, qytetare dhe humane”.
Ndërkaq këngëtarit napoletan Mario Maglione do t’i jepet titulli “Fisnikëria e qytetit të Durrësit” me motivacionin:
“Respekt për ju dhe këngët tuaja. Durrsakët kanë dëgjuar dhe shijuar këngët tuaja edhe në kohën kur regjimi i ndalonte emisionet e huaja radiotelevizive”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





