DURRËS, 23 tetor 2014 –  Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 22 tetor 2014 janë marrë dy vendime për shpronësime, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By-pass Durrës” dhe “By-Pass Shkozet-Plepa”, gjithsej 1 milion e 800 mijë euro për të dy rastet.

Në rastin e segmentit rrugor “By-pass Durrës” pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse për tokë “truall” dhe “arë”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 213 274 868 lekësh (1 milion e 5 mijë euro).

Në rastin e segmentit rrugor “By-Pass Shkozet-Plepa” pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, për objekte me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 41 805 500 lekësh (300 mijë euro).

SI DO TË VEPROHET

Likuidimi i pronarëve do të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar.

Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga  ZVRPP-ja”, do të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar do të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe me fillimin e procesit të likuidimit të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës do të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/